Turistët e ujërave të zeza

Mirëmbajtja e pastërtisë, asfaltimi dhe gjelbërimi i rrugicave dhe i parkingjeve mes hoteleve, e mbi të gjitha rregullimi i sistemit të kanalizimit, u harruan diku rrugës.
Raporti i Ministrisë së Mjedisit të Shqipërisë, i cili nxjerr në pah gjendjen e mjerueshme të ujit - dhe jo vetëm të tij - nëpër plazhet e bregdetit shqiptar, përvç që ngre një çështje e cila do ta brengoste cilindo shtet normal që ndër prioritetet e veta ekonomike ka edhe turizmin, zbulon edhe disa elementë të tjerë po aq të rëndësishëm.
I pari, mospërfillja dhe mosrespektimi total nga shteti dhe nga afaristët hotelierë i atyre që vijnë dhe shpenzojnë paratë e veta në Shqipëri, sasia e të cilave nuk është edhe aq e pakët.
I dyti, mosmarrja seriozisht dhe në nivel të shtetit me një problem që, përvçse e bën të pakuptimtë spotin aq të përfolur në CNN për plazhet e virgjëra shqiptare, i shton një pikëçuditje të madhe edhe vetë këmbëngulësisë së shumë kosovarëve për të veruar në Shqipëri.
Rrezikimi serioz i shëndetit të pushuesve kryesisht kosovarë dhe maqedonas që qëndruan, vazhdojnë ose planifikojnë të qëndrojnë në bregdetin shqiptar, sigurisht që e konfirmon fjalinë e mësipërme.
Ndonëse as vetë banorët vendorë që fundja paguajnë taksa - ose të paktën do të duhej të paguanin - në mënyrë që shteti t'i investonte prapa në formë investimesh infrastrukturore, nuk duket të jenë në pozitë më të mirë. Dallimi i vetëm mes dy palëve është se këta të dytët bile nuk paguajnë për të përjetuar kundërmimin e kanalizimeve të veta.
I treti, sigurisht se ndërlidhet me dy të parët, sepse shfaq paaftësinë dhe mosinteresimit e pushtetit shqiptar - gjë që vërehet qartë edhe nga vetë koha e publikimit të raportit, në pikun e sezonit - për zgjidhjen e problemit që do të duhej të ishte i harruar kaherë.
Meqenëse raporti posaçërisht alarmon për gjendjen e keqe në zonën e Durrësit, e cila njëkohësisht duket të jetë zona më e frekuentuar turistike nga kosovarët, mbase ajo edhe meriton të jetë subjekti që personifikon më së miri tre elementët e mësipërm.
Le të shkojmë radhazi.
Rruga e Kombit është vërtetë e arritura më e madhe infrastrukturore që Shqipëria bëri në drejtim të afrimit dhe hapjes së mëtejshme të vendit për kosovarë - dhe jo vetëm për ta. Distanca që dikur ngjante në një aventurë para hyrjes në të cilën duhej ndoshta edhe të hallashtiseshe me familjarët, tash kalohet mirë, shpejt dhe sigurt.
Tani, derisa udhëton nëpër Rrugën e Kombit të duket sikur je në kalim e sipër nëpër ndonjë vend perëndimor, megjithëse ndjenja të braktis relativisht shpejt - sapo ta prekësh Adriatikun.
Durrësi, sado i ndërtuar që mund të duket, të shfaqet përpara me gjithë anomalitë e tij. Zona famoze e Plazhit, Shkëmbi i Kavajës, Golemi dhe Mali i Robit, duken vende të mrekullueshme - nga vetura.
Hotele relativisht të reja dhe moderne, të shtrira nën pishat e shumta - një pjesë e bukur e madhe e të cilave është prerë padhembshëm për ndërtimin e tyre; rruga e zgjeruar kombëtare dhe temperatura tejet të volitshme gjatë verës, të krijojnë ndjesinë se sa shpejt ka ndërruar për të mirë kjo zonë, që sot, përvç në një vendverim të preferuar të kosovarëve, është shndërruar edhe në cak të afërm turistik "që meriton" të vizitohet edhe në fundjavë.
Deri dje, pra në kohën e ish-Jugosllavisë, një pjesë e madhe e turistëve të sotëm "patriotikë" kosovarë pushimet zakonisht i kalonin në bregdetin malazez, kroat, slloven... Kjo, deri në fundin e viteve '90 kur pushimet në bregdet u shndërruan në gjënë e fundit që dikujt i shkonte ndërmend.
Pak më shumë se një dekadë më parë, një pjesë e kosovarëve të dëbuar nga Kosova po qëndronin edhe në zonën e Durrësit dhe mbase po ëndërronin sa mirë do të ishte sikur një ditë të vinin aty për pushime, e jo vetëm për zor.
Sot kohët kanë ndryshuar. Ëndrra e dikurshme është realitet, e falë Rrugës së Kombit edhe lehtë e realizueshme. Edhe Durrësi ndërkohë ndërroi shumë nga ai viteve '90. Qyteti është ndërtuar e zgjeruar relativisht shpejt. Peizazhi i dikurshëm ka të përbashkët vetëm detin, sepse aty ku dikur mbase rrezikojë të mbyteshe pa të parë kush, tani s'ke ku të shtrihesh nga njerëzit.
Hotelet dhe restorantet e shumta janë bërë 'trademark' i gjithë zonës, ndërkaq kosovarët - e deri diku edhe maqedonasit - frekuentuesit nëntëdhjetë përqindësh të tyre. Por, përderisa nuk u arrit ky nivel frekuentimi, asnjëra palë - as durrsakët e as mysafirët - nuk i kushtoi kujdes detajeve "të parëndësishme" që do të duhej të përcillnin ofertën turistike në rritje.
Mirëmbajtja e pastërtisë, asfaltimi dhe gjelbërimi i rrugicave dhe i parkingjeve mes hoteleve, e mbi të gjitha rregullimi i sistemit të kanalizimit, u harruan diku rrugës. Tani të gjitha këto detaje të bien në sy sapo t'ia mësysh labirinteve të paasfaltuara mes hoteleve, restoranteve dhe apartamenteve që ndajnë rrugën kombëtare Durrës-Kavajë me plazhin e pandërprerë që lidhë të gjitha vendet turistike të zonës.
Megjithatë, çështja më absurde me të cilën përballen pushuesit, por edhe vetë banorët, shfaqet vetëm pasi të jesh vendosur në ndonjërin prej hoteleve të zonës: Si të largohet m... nga deti? Sigurisht se pa ndihmën e Qeverisë të dyja palët që kontribuuan në "pasurimin e ujit detar" të zonës turistike do ta humbin betejën.
Rrjedhimisht, nëse Qeveria shqiptare vazhdon - si deri më tani - që ta neglizhojë çështjen e pranisë së ujërave të zeza nëpër plazhe, ajo rrezikon shëndetin e banorëve dhe pushuesve, por edhe humbjen e "turizmit patriotik", të vetmit në të cilin mund të llogarisë momentalisht. Kjo, ngase as pushuesit kosovarë e as ata maqedonas sigurisht që s'janë të disponuar të paguajnë për t'u larë në kanalizimet e Durrësit.
Dikush do të thoshte se politika shqiptare aktualisht ka probleme më të mëdha se të merret me kanalizimet e Durrësit - dhe jo vetëm të tij. Ndoshta, por përderisa Qeveria nuk kurseu mjete për reklamimin e bregdetit shqiptar në një televizion botëror si CNN, do të duhej që të hapte qesen edhe për rregullimin dhe pastrimin e asaj që - fatmirësisht - nuk duket në spotin e kushtueshëm turistik.