Drama e një spitali modern
Me rreth 4 milionë euro investime, Kavaja ka padyshim spitalin më modern ndër të gjithë institucionet e tjerë të këtij lloji në vend. I ndërtuar në nëntor të vitit 2010, ai është shumë larg pamjes së spitalit publik. Vetëm vlera e aparaturave është 1.9 milionë euro, një investim kolosal për një spital qyteti dhe një shifër që zgjoi kureshtjen tone për ta vizituar, raporton Vizion Plus.
Por në biseda me stafin mjekësor të këtij spitali mësojmë se disa prej shërbimeve të tij janë futur në punë më shumë se një vit pas inaugurimit, për shkak të mungesës së stafit mjekësor. Edhe sot ndërhyrjet kirurgjikale, por jo vetëm, funksionojnë vetëm paradite, si pasojë e mungesës së reanimatorëve. Brenda spitalit funksionon materniteti i qytetit, me sallën e inkubatorit, ndërhyrjeve kirurgjikale dhe një pavijon model. Por edhe këtu nevojitet shtesë në staf sidomos në anën kirurgjikale në specialitetin instrumentale. Salla e reanimacionit është e lidhur në rrjet me një kompjuter qëndror që monitoron të dhënat e pacientëve, por ajo që vëmë re është numri i pakët i pacientëve. Një prej tyre e takuam ndërsa bënte seancat e fizioterapisë në këtë pavijon me mjete moderne të këtij lloji. Ai na pohon se pavarësisht kësaj, spitali nuk ofron shërbim të plotë për ortopedinë, pasi janë marrë me honorare dy mjekë që vizitojnë vetëm të mërkurën dhe të shtunën.
Drejtuesit e spitalit pohojnë se 80 shtretërit e tij shfrytëzohen 70% gjatë vitit. Megjithatë, drejtori Xeka thekson se pas kontakteve me ministrin e ri të Shëndetësisë ka marrë miratimin e tij për shtesë në stafin mjekësor që pacientët e Kavajës të mos i drejtohen më spitalit të Durrësit apo Tiranës për asnjë lloj shërbimi që mund ta marrin lehtësisht këtu.
