E Diel, 1 Nëntor 2026

Tjetër SKANDAL i Imamit, po u jep prona të ushtrisë dhe pjesë të bregdetit biznesmenëve pranë Berishës

Share

Deputeti socialist, Erion Braçe, denoncon një tjetër skandal të qeverisë dhe ministrit Imami, që kanë nxjerrë në shitje pronat e ushtrisë. Përfitues janë njerëz dhe biznesmenë pranë kryeministrit Berisha.

Nga Erion Braçe

Atdheu po shitet. Berisha po e shet. 1.2 milionë metra katrorë prona publike të ushtrisë kanë dalë në shitje. 1 milion katrorë të tjera po bëhen gati.

Janë territore të tëra repartesh ushtarake, poligonesh, komandash, qendrash mobilizimi, shkolla ushtarake, spitale po të tilla; brenda qyteteve, në periferitë urbane te tyre, por mbi të gjitha në bregdet!

Me dy dekrete, njëri në vitin 2009 dhe tjetri i para dy muajve, Presidenti i Republikës i ka miratuar Ministrisë së Mbrojtjes atë që quhet “Plani i Përhapjes” dhe i referohet forcave të armatosura dhe aseteve të tyre. Vini re, propozimin e ka bërë Ministria e Mbrojtjes.

“Plani i Përhapjes” po aq sa tregon vendosjen e ushtrisë shqiptare, vlen për të nxjerrë jashtë përhapjes së ushtrisë asete të mëdha të ushtrisë.

Pavarësisht se dekretet janë publike, askush nuk ka akses të mësojë se cilat prona të ushtrisë kanë dalë nga Plani i Përhapjes.

Procedura pas nxjerrjes nga plani i përhapjes vijon:

Evidentimi i pronave që mendohet të privatizohen;

Dërgimi Ministrisë së Ekonomisë të pronave që do të privatizohen;

Nxjerrja në shitje e këtyre pronave.

Unë kam listat e pronave të ushtrisë të nxjerra jashtë Planit të Përhapjes me dekretin e vitit 2009.

Kanë një sipërfaqe mbi 1.2 milionë metër katror.

Fillojnë me periferinë urbane të Tiranës, Durrësit, Korçës, Elbasanit, Shkodrës dhe vijojnë në bregdet me bregun e Kurbinit, Durrësit, Kavajës, Fierit, Vlorës- nga Pish Poro, Novoselë, Nartë, Zvernec, Pusi i Mezinit, Kaninë, Uji i Ftohtë, Rradhimë, Orikum, Karaburun; më tej në Bregun e Diellit- nga Palasa, Jala, Porto Palermo, Himara, Lukova, Lëkursi, Ksamili!

Vetëm në Karaburun janë mbi 160 mijë metër katror, duke përfshirë Ravenën, Kepin e Gjuhëzës, Majën Flamur apo edhe depot në Orikum.

Vetëm në Palasë janë mbi 20 mijë metër katror.

Brenda në Vlorë në shitje është Komanda e Distriktit Kalaja e famshme me mbi 16 mijë metër katror.

Kjo është lista pas dekretit të 2009-tës!

Mbi dy milionë metër katrorë të tjera janë tani pas dekretit të dy muajve më parë. Mbahen të fshehta.

Por jo dhe aq! Unë mësova dje se jashtë planit të përhapjes ka dalë një pjesë e madhe e Shkollës së Bashkuar, Shkollës së Marinës në Vlorë, Spitalit Ushtarak në Tiranë, Baza e Bisht Pallës, Tuneli i Porto Palermos!

Të gjitha të identifikuara nga klientët e Sali Berishës. Kudo ata.

Gjurma më e qartë në Palasë dhe Porto Palermo.

Kjo batërdi duhet ndalur. Shqipëria nuk është në shitje.


Më shumë nga Politika

Të gjitha ›