E Diel, 1 Nëntor 2026

Drama kombëtare“Katarina Josipi”ndan fituesit e 2011-ës

TIRANE-Konkursit për dramën kombëtare "Katarina Josipi" ka ndarë tre çmime në edicionin e tij të tretë. Çmimi i parë iu dha Xhevdet Bajrajt për mono-dramën "Vrasja e mushkonjës". Vlera e këtij çmimi është 3600 euro. Çmimi i dytë i shkoi Eli Krasniqit për dramën "Citycide", në vlerë prej 2400 eurosh, ndërsa çmimi i tretë iu dha Ridvan Dibrës për dramën "Na të birtë e shekullit të ri", në vlerë prej 1200 eurosh. Në konkurs këtë vit merrnin pjesë 27 autorë, dy prej të cilëve ishin paraqitur me nga dy tekste, kështu që në konkurrencë për çmimet ishin 29 drama të formateve dhe zhanreve të ndryshme.

Anëtarët e jurisë ishin: Hida Halimi, shkrimtare, Musa Ramadani, shkrimtar dhe kritik i teatrit, Arta Kallaba, regjisore, Jeton Neziraj, dramaturg, dhe Shkëlzen Maliqi, filozof dhe publicist. Pas leximit dhe shqyrtimit të gjitha teksteve, në hapin e parë juria përzgjodhi 11 syresh që kanë hyrë në konkurrencë të ngushtë për çmimet. Që në shqyrtimin e parë juria ka konstatuar se 3 tekste dallonin, pasi ishin të përfshira në tre-katër vendet e para të listave preferenciale të të gjithë anëtarëve të jurisë dhe këto ishin: monodrama "Vrasja e Mushkonjës" e Xhevdet Bajrës, drama "Citycide" e Eli Krasniqit dhe "Na të birtë e shekullit të ri" e Ridvan Dibrës. Në fazën finale, juria ka dhënë edhe argumentet mbi vlerësimet e saj. Sipas jurisë, monodrama e Xhevdet Bajrajt "Vrasja e Mushkonjës" përmban në vete një kulturë të shkrimit postmodern ku filozofia, poetika dhe shumësia e kuptimit metaforik pasqyrojnë realitetin e mjedisit shoqëror dhe të bashkëkohësisë. Xhevdet Bajraj është poet i njohur i brezit të mesëm dhe edhe këtë sprovë të tij të parë në dramaturgji e ka realizuar në vargje të lira, që është bërë trend në dramaturgjinë bashkëkohore. Tema e monodramës është bezdia që e përjeton karakteri në përditshmërinë e tij, e simbolizuar me prezencën e mushkonjës, e cila nuk e lë të qetë.
Por, duke ndjekur mushkonjën që ta mbys, ai lëndon gruan e vetë. Autori në mënyrë mjeshtërore gërsheton vijën e këtij narracioni me refleksione të ndryshme erudite, që bartin edhe porosi të angazhuara, duke nxjerr në dritë protestën ndaj dukurive negative shoqërore dhe politike. Në monodramë shpalosen opinione dhe meditime të mprehta mbi bashkëkohësinë, gjendjen shpirtërore, mjerimin e jetës, luftën, çarjen e identitetit etj. Është ky një monolog i hapur i cili hap shtigje të shumta të dialogut mes individit dhe shoqërisë jo vetëm në përmasat kombëtare, por edhe ato globale. Në vlerësimin e jurisë për dramën "Citycide" të Eli Krasniqit shkruhet se: "Citycide" është një dramë e shkëlqyer e cila flet për një nga temat më të gjithëkohëshme njerëzore; për vdekjen. Drama është një përrallë bashkëkohore që na kujton legjendat dhe epikën e lashtë mbi heroin i cili synon ta mposhtë vdekjen, duke synuar që ta gjejë misterin e vdekjes, në mënyrë që të bëhet i pavdekshëm. Te "Citycide" e Eli Krasniqit, dy personazhet e kërkojnë vdekjen, e duan vdekjen më shumë se sa jetën, por në atë rrugëtimin e tyre të fundit dhe të vetëzgjedhur drejt vdekjes, ata gjatë komunikimit mes tyre zbulojnë 'misterin' e jetës… Por vdekja, megjithatë del më e pushtetshme sesa jeta! "Citycide" është një dramë e cila tematikisht e pasuron dramaturgjinë shqipe. Ajo është një dramë e cila disa kode, zakone e rite të trashëguara tonat në lidhje me jetën e vdekjen, i zbërthen, i dekodon, duke u dhënë kuptime universale. Ndërsa për veprën e Ridvan Dibrës "Na të birtë e shekullit të ri" shkruhet se "është dramë njëaktëshe që paraqet një çift bashkëshortësh të cilëve papritur u çrregullohet jeta pasi që duhet të kujdesen për babain e burrit i cili është i sëmurë, në komë, dhe kjo situatë zgjatë me javë të tëra. Gjatë kësaj kujdestarie kur një i afërm vegjeton në atë zonën kufitare mes jetës dhe vdekjes, qenies dhe mosqenies, çifti gradualisht zbulon se kjo dergjje e plakut jo vetëm që pengon jetën normale të tyre, por zbardh edhe zbrazëtirën dhe artificialitetin e raportit bashkëshortor. Çifti në mënyra të ndryshme kërkon daljen nga kriza, duke e biseduar edhe mundësinë e eutanazisë. Në fund ndodh një kthesë e cila do të duhej t'ua eliminonte traumën, por çifti kupton se është vonë për këtë ngase hendeku i hapur mes tyre ngjan të jetë i pariparueshëm. Drama fituese do të vihet në repertorin e Teatrit Kombëtar të Kosovës vitin e ardhshëm , kurse të tri dramat fituese do të botohen në një vëllim gjatë këtij viti.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›