Drama lirike Perjetesisht Dashuria ne Teatrin Kombetar

Drama lirike nga Mihal Luarasi “ Përjetësisht Dashuria” vjen këtë fundjavë premierë në teatrin Kombëtar nën regjinë e tij. Luarasi thotë se kjo është një dramë aktuale mbi temën e mprehtë të vetmisë së brezit të tretë.
Kjo shfaqje ringjit në skenën e Teatrit Kombëtar, në rol kryesor zonjën e skenës Drita Pelinkun.
Autori e ka shkruar këtë pjesë 12 vite më parë, enkas për aktoren Pelinku. E cila në konferencën për shtyp deklaroi se është e lumtur që me rolin e Zarinës do mbyll karrierën artistike.
Krah saj do të interpretojë aktori Vangjel Toçe. Ata janë një çift pleqsh, Zarina dhe Dioni, dy prindër, të cilët vuajnë vetminë për shkak të emigrimit të fëmijëve.
“Përjetësisht dashuri” është një dramë që trajton një nga problemet më të mëdha sociale, arratinë e të rinjve dhe vetminë e pleqve. Vepra trajton një dramë të shoqërisë së sotme shqiptare, vetminë dhe dhembjen e tyre, por edhe dashurinë e dy njerëzve të cilët kanë një jetë që jetojnë bashkë. Skenat zhvillohen në dhomën e ndenjes së një shtëpie ku dy bashkëshortët jetojnë vetëm.
Regjisori Luarasi dhe Drita Pelinku punojnë përsëri bashkë pas 56 vitesh. Roli i parë në teatër i Drita Pelinkut ishte në vitin 1956, kur Mihallaq Luarasi mbronte diplomën me dramën "Intrigë dashurie".
Skenografia dhe kostumografia janë relizuar nga Genc Shkodrani.