Presidenca Nano Moszgjedhja ne kete post me kthen ne PS
Ish-kreu i Partisë Socialiste, Fatos Nano lëshoi sot një sinjal krejtësisht të qartë për lidershipin socialist, duke i bërë me dije në mënyrë publike se në rast të moskandidimit të tij në garën presidenciale atëherë ai do të kthehet në PS. Një deklaratë të tillë ish-lideri socialist e bëri pas takimit që zhvilloi me ambasadorin e SHBA-vë, Aleksandër Arvizu. Njëkohësisht, Nano i kërkoi opozitës që ashtu sikundër dhe mazhoranca të paraqitet në Kuvend me një kandidaturë të sajën.
“Zgjedhja e presidentit është një proces në të cilin duhet të evitohen konfliktet. Kjo është një çështje e cila ka rëndësi për integrimin. Mazhoranca ka kandidaturën e saj konsensuale, ndaj dhe opozita duhet të propozojë kandidaturën e sa. Nëse nuk zgjidhem president, rikthehem në PS. Unë jam në politikë dhe Partia Socialiste është partia ime e zemrës, nëse ajo vijon edhe lëngon siç po e bën atëherë unë do i kthehem me gjithë zëmër”, vuri në dukje Nano, gjatë prononcimit të tij për shtyp.
Gjithashtu, duke iu referuar takimit me ambasadorin Arvizu, ish-kreu socialist sqaroi se biseda mes tyre ishte e përqendruar pikërisht tek çështja e presidentit, ku pritet që gjatë kësaj jave të zhvillohet dhe raundi i tretë i votimit.