E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drama për teatrot europiane

Në Teatrin Kombëtar, në Ditën Ndërkombëtare të Teatrit, u dhanë çmimet për dramë ‘Katarina Josipi’. Midis tjerash, u tha se tri dramat fituese do të përkthehen në gjuhën angleze dhe pastaj do të shpërndahen nëpër teatrot e ndryshme europiane dhe botërore.

Dhurata Hoti është shpallur fituese e çmimit të parë për dramë ‘Katarina Josipi’, që u dha të martën në Teatrin Kombëtar. Drama ‘Sodom Sadomazo’ e Hotit u vlerësua si më e mira në mesin e 21 dramave sa kishin marrë pjesë në konkurs. Me çmim të dytë u shpërblye drama ‘Misteri i Trekëndëshit të Bermudës’, me autor Ferdinand Hysi, ndërkaq çmimin e tretë e mori drama ‘Eksperimenti’ e Agush Mulliqit.

Ndryshe prej viteve të kaluara, risia e këtij viti është se këto tri drama do të përkthehen në gjuhën angleze dhe pastaj do të shpërndahen nëpër teatrot e ndryshme europiane dhe botërore. Por se a do të inskenohen nëpër këto teatro nuk i dihet.

Adem Gashi, kryetar i jurisë, në përbërje të së cilës ishin edhe Fatos Berisha, regjisor, Sheqerie Buqaj, aktore dhe dramaturge, Zymer Kelmendi, dramaturg dhe skenarist dhe Emin Emini, regjisor dhe dramaturg, tregoi se sipas tipologjisë zhanrore, 21 dorëshkrimet konkurruese i përkisnin dramës, monodramës dhe komedisë.

Ai tha se pas leximit të parë, juria konstatoi se prurjet e këtij konkursi nuk linin vend për t’u krekosur sikundër as për të vënë kujën.

“Ky fakt vlen të theksohet si në përmbajtjen e teksteve, si në aspektin e strukturës së formës, vërehen po ashtu prirje për eksperimentime dhe reflektime novatore, po ashtu edhe çalime gjuhësore, ngarkesa me hipertekst e të tjera”, tha Gashi.

Duke folur për dramën fituese, Gashi tha se ajo ka një strukturë koherente dhe trajton profilin e të parit apo kryeparit si karakter dhe si gjest.

“Ai vjen e shfaqet nga trajta e arketipit, mund të jetë mbret, monark, diktator e deri te kryebashkiakët e sotëm të qyteteve shqiptare”, tha Gashi.

Me një fjalë u paraqit edhe zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajdin Abazi, i cili tha se artistët e teatrit nuk shihen si një barrë e tepërt për shtetin por për ata tashmë ekziston një trajtim i dinjitetshëm.

Ai u tregoi artistëve se ministri Krasniqi ka marrë vendim për themelimin e Çmimeve Vjetore për Teatër, për të cilat do të nxirret edhe një rregullore e veçantë.

Zëvendësministri Abazi e vlerësoi lartë krijimtarinë teatrore në Kosovë, duke thënë se ajo ka pasur rolin e veçantë në ngritjen intelektuale të shoqërisë.

“Sukseset e hapësirës teatrore të vendit tonë, që zënë fill mbi veprat antologjike të autorëve tanë dhe atyre të huaj si dhe të atyre të shprehjes bashkëkohore vendore dhe botërore, e kanë inspiruar publikun në shqyrtimin e përditshmërisë së tyre si dhe e kanë pasuruar shpirtin e secilit individ”, tha Abazi.

Në referatin e tij të mbushur me fraza poetike e me citate të aktorëve dhe dramaturgëve botëror, zëvendësministri Abazi tha se teatri është një shtëpi në të cilën jeton një botë tjetërfare.

“Një botë ku jetojnë njerëzit, kafshët, detërat, erërat dhe qytete të tëra. Në këtë shtëpi vendosen për të banuar heronj të përrallave dhe të imagjinatës. Në të hyjnë për të banuar edhe heronjtë nga librat. Në të mund të vendosen edhe hapësira të pafundme dhe shekuj të tërë”, u shpreh ai.

Me këtë rast u lexua edhe mesazhi i Ditës Botërore të Teatrit i aktorit John Malkovich dërguar teatrove nëpër tërë botën.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›