‘Special One’ kthehet në Inter?

Jose Mourinho nuk e ka harruar ende Interin. Trajneri portugez, edhe pse po kalon momente të mira me Realin e Madridit, me të cilin është afër kualifikimit në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve dhe titullit të kampionit në La Liga, mendjen e ka ende te skuadra Nerazzurre.
Me Interin, ‘Special One’ në vitin 2010 e fitoi ‘Triplete’, Ligën e Kampionëve, Serie A dhe Kupën e Italisë. Nga ajo kohë klubi italian nuk ka parë hair, edhe pse i provoi katër trajnerë, duke filluar nga Leonardo, pastaj Benitez, për të vazhduar me Gasperinin dhe së fundmi me Ranierin.
Por, ekipi italian dështoi totalisht në dy sezonet e fundit, sidomos në këtë aktual. Për këtë ish trajneri i Portos dhe i Chelseas nuk e ka përjashtuar mundësinë të rikthehet në Giuseppe Meazza.
“Interi është shtëpia ime. Një ditë mund të kthehem atje. Një rikthim në shtëpi është gjithmonë i mundshëm. Sezoni ynë fantastik ndoshta ka peshuar”, ka thënë fillimisht Mourinho në konferencë për shtyp pas fitores bindëse 3:0 ndaj APOEL-it. - “Jam një tifoz dhe si tifozët tjerë, jam i trishtuar. Por, shpresoj që sezoni tjetër të jetë më i mirë”, vazhdoi 49 vjeçari.
‘Mou’ nuk mendon se cikli i Interit ka marrë fund. Madje, ai është i bindur se lojtarët aktualë Nerazzurrë mund të kenë sezon të suksesshëm vitin që vjen.
“Ndoshta lojtarët e njëjtë të këtij viti mund t’u kthehen fitoreve vitin e ardhshëm. Ne kishim një sezon të papërsëritshëm, fantastik dhe për trajnerët e rinj dhe lojtarët kjo ka mundur të ndikojë”, shpjegoi ai.
Mourinhos i vjen keq për Claudio Ranierin, pasi besonte se me të rezultatet do të arrinin më në fund. Ai foli edhe për trajnerin e ri interist Andrea Stramaccioni, i cili e zëvendësoi ish trajnerin e Chelseas, të Romës dhe të Juventusit.
“Si interist dëshiroj të ketë punë të mbarë. Më vjen keq për Ranierin, por futbolli është kështu. Ndërsa trajnerit të ri i uroj që t’i ecën mirë”, përfundoi Mourinho i cili e përshëndeti me përzemërsi ‘vëllanë’ e tij Marco Materazzi, me të cilin kishte punuar bashkë në kohën sa e udhëhiqte Interin.