E Diel, 1 Nëntor 2026

Dramë në “Qemal Stafa”, kalon TiranaTirana në finale do të përballet me Flamurtarin, dy herë fitues të Kupës së Shqipërisë, teksa statistikat e tri përballjeve të tyre flasin me ngjyrat bardheblu: tri finale të diskutuara midis tyre në 1983, 19

Falë golit të zëvendësuesit Jetmir Sefa në minutën e 104-t, Tirana zuri vend për herë të 21-të një vend në finalen e Kupës së Shqipërisë, duke “hequr qafe” fituesen në fuqi të këtij kompeticioni, Vllaznisë (1-0), pas 210 minutave dramatike, përfshirë edhe takimin e parë në “Loro Boriçi” (0-0) dy javë më parë.

Presidenti i Republikës dhe ish-presidenti i Tiranës, Bamir Topi, ishte mesa duket edhe njeriu i fatit në një mbrëmje festive me një dekor të mrekullueshëm e një pafundësi fishekzjarrësh.

13-herë fituesit e Kupës së Shqipërisë dominuan në pjesën më të madhe të lojës kundër rivalëvë më të mëdhenj të tyre në një “Qemal Stafa” të elektrizuar tërësisht, në një nga mbrëmjet më spektakolare të futbollit shqiptar në 20 vitet e fundit, jo vetëm nga emocionet e jashtëzakonshme që supersfida prodhoi, por dhe nga niveli i lartë e përkushtimi absolut i dy formacioneve gjatë 120 minutave.

Goleadori i Vllaznisë, Vioresin Sinani lëshoi një predhë nga goditja standarde në minutën e 18-të, por reagimi i 37-vjeçarit Nallbani ishte spektakolar.

Ishte formacioni i Dervish Haxhiosmanoviçit, ai që ngacmoi sërish portën bardhlu, kur kosovari Ilir Nallbani goditi nga larg, por Blendi Nallbani i Tiranës, dukej se kishte fatin me vete, me atë ndërhyrje shembullore.

Kapiteni i Tiranës, Devi Muka i dha një “llokume” Memellit në të 34’, por golashënuesi më i mirë i kampionatit nuk mundi ta shndërronte në gol mundësinë e artë, duke e gjuajtur mbi traversë.

Mesfushori i Kombëtares, Ansi Agolli goditi traversën në minutën e 35-të, duke rritur adrenalinën në maksimum në “Qemal Stafa”, por dhe presionin ndaj Armir Grimës.

Në minutën e 67-të, ganezi Xhejms Boadu hodhi një top të zgjuar drejt katërkendëshit të Tiranës, por Nallbani reagoi bukur, duke e devijuar topin në goditje këndi. Zëvendësuesi i Devi Mukës, Jetmir Sefa, nuk arriti të shënonte në të 77-të, teksa gjuajtja e tij kaloi ngjitur me trekëndëshin e majtë të portës së mbrojtur nga veterani Armir Grima.

Koha e rregullt përfundoi sërish 0-0, ashtu si në Shkodër dy javë më parë, dhe skuadrat iu drejtuan shtesave, por ka kapitenët e tyre, Devi Muka i ka vendin Jetmir Sefës, ndërsa Vioresin Sinani u zëvendësua me Xhevair Sukajn.

Gjergji Muzaka pati një rast të mirë në të 97’, por stërzgjatja e jashtëzakonshme e Armir Grimës i mohoi golin Tiranës.

Sulmuesi Daniel Xhafa krosoi nga e djathta e sulmit bardheblu për nigerianin Abraham, ky i fundit goditi drejt portës, topi u përplas në trupin e një mbrojtësi të Vllaznisë, mbrojtësi i Tiranës këmbënguli sërish dhe në tentativën e dytë me kokë e dërgoi topin te zëvendësuesi Jetmir Sefa, i cili në mënyrë cinike e dërgoi topin në rrjetë në minutën e 104-t.

1-0 për Tiranën, ndërkohë që në 16 minutat e mbetura, Vllaznisë i duheshin dy gola për të kaluar në finale. Një mision i pamundur dhe i parealizuar njëkohësisht.

Tirana në finale do të përballet me Flamurtarin, dy herë fitues të Kupës së Shqipërisë, teksa statistikat e tri përballjeve të tyre flasin me ngjyrat bardheblu: tri finale të diskutuara midis tyre në 1983, 1984 e 1996, të tria të fituara nga Tirana.

FINALISTET
TIRANA
Merr pjesë për herë të 21-të në finale. Në turin e parë eliminoi Tërbunin (1-1, 1-0), në të dytin Lushnjën (4-1, 5-0),  në të tretin Elbasanin (0-0, 2-0) dhe në gjysmëfinale eliminoi Vllazninë (0-0, 1-0 pas kohës shtesë). Tirana e ka fituar 13-herë kupën e Shqipërisë, për herë të fundit në vitin 2007, teksa sezonin e kaluar humbi 2-0 me Vllazninë.

FLAMURTARI
Flamurtari merr pjesë për herë të 12-të në finale. Në turin e parë Naftëtarin (6-1, 3-2), në të dytin Bylisin (1-1, 2-1), në të tretin Partizani (1-0, në përballjen teke) dhe në gjysmëfinale Shkumbinin (1-0, 1-1). Flamurtari e ka fituar dy herë Kupën e Shqipërisë, në vitin 1985 dhe 1988, kur në finale ka fituar respektivisht ndaj Partizanit.

TRI FINALET
1995-1996     Tirana-Flamurtari 5-4 (p)
1983-1984     Tirana-Flamurtari 2-1
1982-1983     Tirana-Flamurtari 2-1

KUPA E SHQIPËRISË
Gjysmëfinalet

Ndeshjet e para
15 prill 2009
Flamurtari-Shkumbini 1-0
Vllaznia-Tirana 0-0

Ndeshjet e kthimit
29 prill 2009
Shkumbini-Flamurtari 1-1
Tirana- Vllaznia 1-0

FINALJA
Flamurtari-Tirana
6 maj 2009

E Merkure, 29 Prill 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›