E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Giffoni Shqipëria” vjen me një dimension të ri

Edicioni i shtatë i “Giffoni Albania”, që do të organizohet nga 7-12 nëntor 2011, vjen me një dimension të ri. Për herë të parë, Giffoni hap një konkurs për regjisorët e rinj, për realizimin e filmave të shkurtër me temë shqiptare. Tre projektet që do të përzgjidhen do të realizohen gjatë ditëve që do të mbahet festivali, ndërsa për regjisorët fitues do të ketë edhe një mundësi më shumë: bursë studimi në Itali me shpenzimet e mbuluara nga Giffoni Film Festival. “Ne menduam t’i japim një dimension të ri këtij edicioni. Ishte ideja e krijuesit të këtij festivali, Claudio Gubitosit, që krahas festivalit të hapim një konkurs që do t’u mundësojë regjisorëve të rinj paraqitjen e projekteve për një film të shkurtër. Tre projektet fituese do të realizohen gjatë ditëve të festivalit e po ashtu regjisorët do të marrin pjesë në një masterclass që do të zhvillohet në Itali në korrikun e vitit të ardhshëm, që shënon edicionin e 42-të të “Giffoni Film Festival”, u shpreh drejtori i “Giffoni Shqipëria”, Namik Ajazi. Ndërkohë që Gubitosi, i cili e viziton Shqipërinë prej 26 vitesh, theksoi se “Giffoni Shqipëria” është pjesë e degëve ndërkombëtare të festivalit, që do të ketë një rijetëzim gjatë vitit në vazhdim. “Viti 2012 do të jetë një vit i rëndësishëm edhe për rijetëzimin e prezantimeve tona ndërkombëtare. Ka festivale në vende të caktuara që nuk do të bëhen më, ka të tjera që do të jenë në pritje dhe do të ketë disa që do të rilindin. Mes këtyre të fundit është edhe Shqipëria. Ne e kemi treguar se jemi shumë të kujdesshëm në politikat kulturore që ndjekim dhe në bashkëpunimin për ta bërë prezent këtë festival edhe jashtë Italisë. Falë bashkëpunimit me Namik Ajazin dhe pas kaq shumë vitesh që vij rregullisht në Shqipëri, mua më intereson të krijoj këtu një grup pune me të rinj që dalin nga Akademia e Arteve, të cilët duhet të mësojnë ta shohin kulturën si mundësi punësimi dhe si një potencial për zhvillimin ekonomik të vendit ku jetojnë. Pikërisht për këtë arsye në nëntor, gjatë ditëve të festivalit, do të mbaj një workshop me ta. Këtë iniciativë do ta nisim me realizimin e tre filmave të shkurtër. Së shpejti në sitin tonë do të lançojmë konkursin për Shqipërinë: shkruaj, mendo, ëndërro, imagjino një film në Tiranë. Si e sheh qytetin, raportin me familjen, institucionet etj. Këta tre filma do t’i prezantojmë në ceremoninë e mbylljes së festivalit në Tiranë dhe do t’i çojmë nëpër botë si një produkt i “Giffoni Shqipëria””, ka theksuar Gubitosi. Gjatë qëndrimit në Tiranë ai ka pasur edhe takime jo formale me ministrin e Kulturës, Aldo Bumçi; kryetarin e baskisë, Lulzim Basha; dhe me drejtorin e Qendrës Kombëtare Kinematografike, Artan Minarolli. “Giffoni Shqipëria” edhe këtë vit do të jetë i përqendruar në tre qytete: Shkodra, Durrësi dhe Tirana, ndërkohë që iniciativa e realizimit të filmave të shkurtër nga regjisorë të rinj mund të shtrihet në të ardhmen edhe në qytete të tjera. Në program do të jenë sërish filma për fëmijë edhe të rinj, të prodhuar nga studio të njohura ndërkombëtare.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›