E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drecun: Beogradi, do të dal me minimumin e kërkesave

Kryetari i Këshillit për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, Millovan Drecun ka deklaruar se kreu i shtetit serb, gjatë ditëve të ardhshme, do ta saktësojë minimumin e kompetencave të Bashkësisë së komunave serbe, për marrëveshje me Prishtinën.Në një prononcim për Radiotelevizionin publik të Serbisë (RTS) Drecun ka thënë se në zhvillim e sipër janë aktivitete të fuqishme diplomatike me ç’rast mbështetësit e negociatave ndërmjet Beogradit e Prishtinës po kërkojnë që Serbia ta saktësojë minimumin e kërkesave, që në veçanti kanë të bëjnë me kompetencat e Bashkësisë së komunave serbe, por që kjo të qitet në letër dhe t’i prezantohet palës tjetër.

”Për këtë shkak shpresoj se Brukseli dhe Uashingtoni do të ushtrojnë trysni shtesë, kur kreu i shtetit gjatë disa ditëve të ardhshme ta definojë atë minimum i cili dihet mirë, që Prishtina të jetë e gatshme për kompromise”, ka nënvizuar Drecun, transmeton RTK.

Ndërkaq, analisti politik dhe ish ambasadori i Serbisë në Gjermani, dr. Ognjen Pribiqeviq ka deklaruar se ekziston shansi për arritjen e marrëveshjes ndërmjet Beogradit e Prishtinës rreth çështjeve të kontestueshme, dhe se java e ardhshme do të jetë vendimtare për këtë.

“Mendoj se përkundër faktit që negociatat kanë përfunduar, edhe më tutje ekziston rasti. Jemi dëshmitar se edhe më herët kanë ndodhur marrëveshje para të ashtuquajturës ditës “D”, kështu që ka mjaftë kohë prej shtatë-tetë ditësh, dhe kujtoj se kjo javë që po vjen do të jetë vendimtare dhe pres që dialogu të vazhdojë”, ka deklaruar Pribiqeviq për “TV B 92”.

Ai ka shtuar se ekziston shansi për arritjen e marrëveshjes dhe kjo është në interes të Beogradit, Prishtinës, por edhe të SHBA dhe BE.

“Të gjitha palët kanë interesa të fuqishme që marrëveshja të arrihet sesa të mos arrihet”, konsideron Pribiqeviq.

Mirëpo, sipas tij, nëse marrëveshja nuk arrihet gjatë shtatë, tetë ditëve të ardhshme, atëherë gjërat do të prolongohen për vjeshtë, dhe atëherë është pyetje e madhe në cilin format do të zhvillohen negociatat.

Pribiqeviq flet dhe për minimumin e palës serbe dhe thotë se kjo është çështje kyçe në bisedime, dhe konsideron se nga pala serbe minimumi absolut është gjykata themelore në Mitrovicë (veriore), që komandanti i njësive policore të jetë serb dhe të mos u mundësohet forcave ushtarake qasja në atë territor, si dhe që pjesa veriore e Mitrovicës kurrë të mos bashkohet me pjesën jugore, ka thënë Pribiqeviq.

Gazeta e sotme “Blic”, e Beogradit ka shkruar, duke iu referuar burimeve në Bruksel, se zonja Eshton nuk do të ndërmjetësojë më në dialog dhe se komisionari për zgjerim Shtefan Fyle po përgatitet ta marrë këtë post. Mirëpo, zëdhënësi i zotit Fyle, Peter Stano e ka përgënjeshtruar këtë lajm me konstatimin “se kjo thjeshtë është gënjeshtër”./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›