Drejt përfundimit parku “Dua të luaj”, hapësirë e re rekreative për Elbasanin

TIRANË, 29 qershor/ATSH/ Punimet për parkun rekreativ “Dua të luaj” në Elbasan janë drejt përfundimit, duke sjellë shumë shpejt një hapësirë të re moderne në shërbim të komunitetit.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga punimet që po kryhen në këtë park komunitar multifunksional, i cili përfshin kënde lojërash për fëmijë dhe ambiente të gjelbra rekreative për të gjitha moshat.
Kryeministri theksoi se ky është një tjetër investim i qeverisë shqiptare që shumë shpejt do t’i japë qytetit një hapësirë të re për sport dhe rekreacion për të gjitha grupmoshat.
“Me fusha sportive, pista vrapimi e biçikletash, kënde lojërash për fëmijë, mjedise të gjelbëruara dhe hapësira shërbimi, ky park do të kthehet në një pikë të re takimi për familjet dhe të rinjtë e Elbasanit”, u shpreh Rama.
Me mbështetjen e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, ky projekt synon të krijojë një park funksional dhe gjithëpërfshirës, duke promovuar një stil jetese aktive për të gjitha grupmoshat.
Bashkia Elbasan vijon punën për transformimin e hapësirave publike, duke rritur gjelbërimin dhe cilësinë e jetës për qytetarët.
/m.m/a.f/