BRUKSEL – BE shton me pesë milionë euro ndihmën për Venezuelën, pas tërmeteve shkatërruese

BRUKSEL, 29 qershor /ATSH–DPA/- Bashkimi Evropian ka rritur ndihmën humanitare për Venezuelën për të mbështetur banorët e prekur nga dy tërmetet e fuqishme që goditën vendin javën e kaluar.
Sipas një njoftimi të publikuar sot, BE-ja do të ndajë pesë milionë euro ndihmë emergjente për të siguruar strehim, shërbime shëndetësore dhe mbështetje për zonat më të goditura.
Gjithashtu, gjatë kësaj jave, BE-ja do të dërgojë me transport ajror rreth 50 tonë materiale ndihme të depozituara në Evropë, përfshirë pajisje për strehim, furnizime me ujë dhe higjienë, si edhe materiale arsimore.
Komisionerja evropiane për Menaxhimin e Krizave, Hadja Lahbib, deklaroi se kjo mbështetje shtesë do t’u vijë në ndihmë familjeve që kanë humbur shtëpitë, pacientëve që kanë nevojë për kujdes mjekësor dhe fëmijëve, shkollat e të cilëve janë dëmtuar nga tërmetet.
Në ditët e fundit, ekipe shpëtimi dhe personel mjekësor nga disa vende të Bashkimit Evropian kanë mbërritur në Venezuelë për të ndihmuar autoritetet lokale në përballimin e pasojave të katastrofës./ /Ad.Ab./ a.jor.