E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejt zgjidhjes situata e furnizimit edhe në plazh

Banka Botërore dhe qeveria kanë derdhur miliona dollarë për Ujësjellësin e Durrësit. BB-ja jep garancitë e saj se këtë verë do të ketë më tepër ujë për Durrësin, për plazhin, por edhe për të gjitha zonat e tjera problematike, ku uji i pijshëm ka munguar. Dje BB-ja ka bërë të njohura investimet e kryera në sektorin e ujit të pijshëm si dhe projektet më emergjente që do të realizohen gjatë këtij viti. Ata sigurojnë se situata ka ardhur në përmirësim dhe vera që po vjen nuk do të jetë problematike për ujin e pijshëm. Sipas të dhënave zyrtare nga kompania e menaxhimit të ujit, janë investuar 4 milionë dollarë në sistemin e ujit të pijshëm në rrethin e Durrësit. Pak kohë më parë përfundoi ujësjellësi i Manzës dhe Katundit të Ri, për të cilin OPEC, me ndërhyrjen e Bankës Botërore, investoi 2,7 milionë dollarë. Gjithashtu, u ndërtuan 5 depo uji dhe u shtrinë 80 kilometër tubacione. Tashmë 42 mijë banorë të kësaj zone furnizohen normalisht me ujë. Kjo ka bërë që humbjet në rrjet të pakësohen në mënyrë të ndjeshme dhe në Durrës të shkojë më tepër ujë. Po në këtë periudhe u investuan 1 milion dollarë nga BB-ja, me të cilat u ndërhy në tubacionin kryesor të ujit dhe u ndërprenë disa qindra lidhje të paligjshme. Gjithashtu, në këtë projekt u realizuan disa lidhje brenda sistemit në mënyrë që banorët e këtyre zonave të merrnin ujë sipas skemës së Ujësjellësit. Tjetër ndërhyrje e BB-së ishte edhe shtrirja e tubacioneve në zonën e Spitallës dhe Porto Romanos, banorët e të cilëve morën ujë pas 11 vjetësh nëpërmjet një rrjeti çezmash kolektive. Banorët e këtij rajoni kanë shpëtuar nga ankthi i mungesës së ujit të pijshëm, të cilin e siguronin me karroca 2 kilometra larg. Gjatë këtij viti qeveria ka vënë në dispozicion 4 milionë USD, të cilat do të përdoren në rrjetin hidrik të Durrësit, gjë që do të ndikojë direkt edhe në furnizimin e plazhit. Po kështu, një pjesë e këtij fondi do të përdoret në zonën e ish-Kënetës për të ndërtuar rrjetin hidrik në këtë zonë, i cili mungon thuajse fare. Nga ana e saj, BB-ja po këtë vit ka planifikuar 500 mijë USD, të cilat gjithashtu do të investohen po në ish- Kënetë dhe po për ndërtimin e rrjetit hidrik të saj.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›