Drejtësi për 21 janarin
Nga Edi Rama
Udhëtimet ngushëlluese drejt katër dyerve të hapura për mort në katër cepa të humbur Shqipërie ishin një dhimbje shumëkilometërshe në realitetin surreal të përditshmërisë së jetës pa të nesërme të atyre familjeve të këputura përtokë me plumba e me fjalë gur të rënda qeverie, në fund të rrugëve pa rrugë që lidhin netët pa ëndrra me ditët pa dritë në kërkim të bukës së fëmijëve. Familje si të zgjedhura enkas nga dora vrastare për ti çuar nga një mesazh plumb Veriut e Jugut, atyre që zgjodhën të qëndrojnë në fshat e atyre që fshatin e lanë për të gjetur Amerikën në rrethinat dëshpëruese të askushëve të kryeqytetit, mesazh nënave të tretura nga vitet nën shamitë e vjetra, mesazh grave të vuajtura prej punës në tokën e vështirë e prej hallit të pashkrueshëm të një jete në errësirë, mesazh vajzave të martuara me fëmijë të vegjël a të porsalindur që u mbytën befas në të zezat e një lufte të hapur njëanshmërisht me zjarrin e pushkëve nga qeveria, mesazh djemve në emigracion dhe çupave si Ana, e bija e të gjorit Ziver, e cila bëri xhiron e botës në ekrane e gazeta me sytë prej deti që e humbën për të dytën herë, po këtë herë përgjithmonë, babanë e ndarë nga varfëria dëshpëruese prej nënës së ikur bashkë me Anën e vëllain më të vogël nga ferri i fshatit gjirokastrit ku u lidh në martesën e palumtur, në ferrin e një fshati në Lushnjë, ku vuan me shpirtin ndër dhëmbë shpotinë primitive ndaj gruas së divorcuar, mesazh pleqve, burrave e djemve të rropatur rrugëve të varfërisë, papunësisë, braktisjes sociale, mesazh të gjitha familjeve të zakonshme shqiptare që të bien në gjunjë e të ulin kokën përballë padrejtësisë së kthyer në regjim, të mbledhin ëndrrat në krodhën e bukës e shpresat në gllënkën e ujit dhe as të mos bëzajnë kundër qeverisë e jo më të kuturisen e ngrenë krye, siç bënë banditët që morën plumbin mu në çaçkën e kokës së tyre të palarë.
Të gjithë ta marrin vesh, njëherë e mirë, mesazh i unifikuar quhet ky, qeveria të merr çtë dojë, ëndrrat, shpresat, dinjitetin, punën, lekët, shpirtin, të merr edhe jetën kur ia sjell në majë të hundës me pakënaqësinë tënde dhe as e ndal kush as e ndëshkon kush në mes të Europës së Bashkuar, paçka se është fillimi i dekadës së dytë të shekullit XXI kur Europa protestuesit e vet që shpërthejnë molotovët dhe dëndin me gurë policinë, djegin e shkatërrojnë në Athinë, Londër, Paris, Romë e kudo që u shkrepet të ngrenë krye për liri e të drejta që rëndom i kërkojnë në tym ndërkohë që jetojnë në parajsën e paarritshme për protestuesit shqiptarë, i qëllon vetëm me shkopinj gome, me ujë me presion, me plumba kauçuku në rastin më të keq, po jetën ua ruan si gjënë më të shenjtë për konstitucionin e saj moral dhe nëse, largqoftë, në kushtet e vetëmbrojtjes reale jo si vetëmbrojtja kriminale e Saliut në 21 janar, një polic europian hap zjarr për të shpëtuar jetën e vet e i merr jetën një të riu europian, dorëhiqet automatikisht ministri i brendshëm, shkarkohet prefekti, zhvishet komisari dhe polici fatkeq përfundon pas hekurave të burgut.
Kurse kryeministri europian vërtet dënon moralisht dhunën e kërkon publikisht që drejtësia të ndëshkojë shkelësit e ligjit, por edhe i kërkon ndjesë popullit të vet për fatkeqësinë e premton ristrukturim të forcave të rendit, rritje të cilësisë së menaxhimit të revoltave qytetare, ndryshim të metodave të edukimit qytetar në shkolla, përfshirje të prindërve në punën parandaluese të shpërthimeve urbane, rishikim të parametrave të buxhetit për financimin e periferive a zonave urbane ku gëlon pakënaqësia publike, hapjen e programeve të reja sociale e integruese e me radhë çka i takon qeverive që burojnë nga vota e lirë dhe punojnë me dashuri e pasion për vendin, për popullin, për njerëzit pa dallim, edhe për ata që e humbasin fillin e arsyes në rrugën e dëshpërimit social. Ndërsa në Shqipëri qeveria ska duar për të përkëdhelur duart kockë e lëkurë të nënës së Hekuran Dedës, zbritur në një fushë të humbur pranë Tiranës prej ferrit të një tjetër fshati lart në veri bashkë me plakun, djemtë, vajzat, nuset, nipat e mbesat, duart e dridhura që shtrëngonin portofolin bosh dhe paketën e zhubravitur të cigareve gjetur në xhepat e gjakosur të trupit pajetë të të birit, teksa nga sytë e mekur i binin pikë-pikë mbi to lotët e fuqisë së shterur mbledhur si grahmë e heshtur në cep të kolltukut rënkues dhe nga buzët e rreshkura i dilnin rënkimet kumbuese të lëndimit të pangushëllueshëm prej fyerjeve shtazarake të gojës vrastare të qeverisë që ia quajti botërisht djalin shtatlartë e krenar, banditë e kokëpalarë.
Nëna e Aleksit kishte ngrirë përjashta statujë me sytë nga kopshti i varfërisë para fidanëve të sapombjellë prej të birit fisnik, katër motrat e të vrarit vejevinin si hije përreth vajzës së mitur të vëllait të tyre, e cila shkonte karrige më karrige për të parë e hutuar nga afër vizitorët gojëkyçur prej zemëratës pa kuptuar dot psenë e pllakosjes së heshtjes së gjatë, nusja e re ishte mbyllur në zezimin e saj, bashkë me të sapolindurën e veshur në të bardha që gërvishtte heshtjen me belbëzimet e veta të forta, duke bërë me gisht nga fotoja e të atit, ndërsa babai malësor i katër vajzave të mbetura pa vëllanë e vetëm dhe vjehrri plak i nuses së mbetur vejushë mes katër mureve në lulen e rinisë, mundohej të kacavirrej fjalëve të dhimbjes për ta arsyetuar kasaphanën që mbylli përjetë sytë e të birit si vullnet të Zotit.
Motrat e vëllezërit emigrantë të Faikut, ardhur për mortin e rënë rrufe në fshatin e mjerë nga arat e punës së krahut në Itali, lëkundeshin dhimbjesh pas dy djemve të të vrarit ardhur nga Greqia, që mbanin më këmbë me duart tërë kallo e sytë e përhumbur tutje nënën e lëshuar në buzën e gropës së varrit, ku një zakon i vjetër e donte të hidhej bashkë me trupin e të vdekurit edhe koka e një gjeli të therur mu përmbi qivurin e groposur, për të nxjerrë hijen e vdekjes nga dera e shtëpisë. Dreqi e di pse siku menjëherë ajo hije nga fshati lëngues, po mori me vete pak kohë më vonë edhe djalin e dytë të nënës shpirtplasur, gjendur shtrirë nga një plumb vetëvrasës në kodrën ku pas varrimit u ngjit përditë në muzg për të folur me qiellin, në kërkim të fantazmës së babait. Ska duar qeveria e dalë nga votat e vjedhura që të vjedhë çti dalë para, për të trokitur në shtëpitë e heshtura që kanë të shkruara mbi muret bosh të gjitha mundimet e ndërtimit të tyre, as këmbë ska qeveria për të shkuar drejt zemrave të plakura prej dhimbjes e trupave të rraskapitur në rrugët e pamundura të jetës së familjeve të zakonshme shqiptare, ska qeveria as sy për të parë ku jetojnë, si jetojnë, me se mbijetojnë, çfarë bëjnë qindramijëra familje për të rritur fëmijët e dashurive të mallkuara prej varfërisë, e ëndrrave të vrara prej papunësisë, e shpresave të mbytura në gropat e izolimit shoqëror, e dëshirave të mbetura në vitrinat e dyqaneve e ekranet e televizorëve, e nevojave të panumërta që u rrinë mbi kokë sa çelin sytë çdo mëngjes, as veshë nuk ka qeveria për të dëgjuar kërkesat e fëmijëve që duan libra për shkollë e mbeten analfabetë se në shkollë sshkojnë dot prej skamjes, që smarrin dot një dhuratë për ditëlindje a Krishtlindje, e që për lodra kanë vetëm gurët e shkopinjtë e gardheve që ndajnë shtëpitë nga bota e iluzioneve të humbura të prindërve të tyre, qeveria ka vetëm gojë për të gënjyer, për tu tallur, për të kaluar radhën dhe ka padyshim edhe forcën muskuloze të padrejtësisë për ti mbajtur njerëzit në radhët e frikës, të lëmoshave korruptive, forcën që ta bën jetën bukë, ujë, televizor e ftohtësi paralizuese. Me atë forcë, kur frika smjafton e rreshti prishet nga të pakënaqurit, qeveria bën shembujt që i duhen frikës për tu ushqyer e rritur, duke u hakmarrë mbi gjithë pemën e gjakut të shtëpisë, të qepet pas e stë ndahet me shuplaka të paligjshme, të flak nga puna, të prish biznesin, të tremb të ardhmen, të heq rrogën e gruas, burrit, babës, motrës, vëllait, të shkon deri tek djali i xhaxhait, i tezes, i dajës, të gjuan në fis e në farë e të damkos si delet për tu qethur a therur me vulën e përjashtimit social dhe, zi e më zi, kur hakngrënët ngrenë krye për të kërkuar hakun e tyre