E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur të gjithë regjistrojnë të gjithë

Videot janë bërë tani monedha politike kryesore në Tiranë: amatoriale, të fshehta, të hapura, nga kamera të sigurisë ose të televizioneve, me aktorë dhe pa aktorë. Ndërkohë që Ilir Metën e nxori të pafajshëm gjykata, pas një procesi të mbështetur në një video të ish-bashkëpunëtorit të tij Prifti, tani rezulton që TV Klan ka transmetuar pa zë videon Prifti-Beqiraj. Ndërkohë, gazetat shkruajnë: “Media afër qeverisë kanë folur dje për mbi ekzistencën e 170 orëve përgjime të personaliteteve, madje edhe video erotike, siç shkruante dje një e përditshme. Artikujt vijnë një ditë pasi kreu i LSI-së foli për video të tjera, të cilat nuk i kam unë, por avokati Braho, siç u shpreh z. Meta”

Edhe guru-ja i sistemit politik të videove, Filip Çakulli, doli në mediat për ti thënë Ilir Metës: bring it on. Këto qindra orë përgjime të personaliteteve janë të mjaftueshme jo vetëm për ta ngritur mediumin televiziv në piedestal të sistemit politik shqiptar, por edhe për ta sanksionuar shantazhin si formën supreme të marrëdhënies politike, në Shqipërinë post-demokratike.

Nga ana tjetër, nëse këto video do të dalin në dritë vërtet, kjo do të provojë, pa pikë dyshimi, se shantazhi si metodë bindjeje nuk ka funksionuar; dhe nuk ka funksionuar, sepse viktimave u ka dalë tashmë turpi. Në një koment të vetin në Shqip, opinionisti Salaj tingëllon i entuziazmuar nga ky pluralitet videosh, i cili të paktën mishëron, në strukturë, një nga parimet konstitutive të republikës. Ka të drejtë. Një nga mënyrat për normalizimin (në mos neutralizimin) e videoshantazhit është popullarizimi, ose demokratizimi i tij, deri sa videopërgjimi të shndërrohet vërtet në kundërpeshë të telezhenisë së politikanëve në mediat shqiptare, ose e protagonizmit të tyre në ekranet.

Që nga momenti kur të gjithë regjistrojnë të gjithë, vlera e çdo komunikimi politik do ti referohet jo shkëmbimit vetë, por mundësisë që ky komunikim të përdoret nesër, për të shkatërruar tjetrin. Ti je më i fortë se unë, por unë të regjistroj.

Tani që edhe politikanët edhe i kanë rregulluar më në fund dhëmbët, është momenti për të mos e ndarë më buzëqeshjen para kamerave.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›