E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drejtësia e mashtrimit

ODIHR rendit, si kritikë në raportin e vet vlerësues të procesit zgjedhor, politizimin e aspekteve teknike të këtij procesi. Në këtë linjë mendimi ka qenë thirrja neutrale për zbatimin e ligjit gjatë momenteve kyçe të fazës së administrimit të votës dhe për qëndrimin larg të politikës nga strukturat e ngritura për kryerjen e këtij funksioni, që nga KZAZ-të e deri te KQZ-ja, e cila ka për qëllim kryesor garantimin e respektimit të ligjit në të gjitha stadet e procesit zgjedhor.

Politizimi apo përdorimi edhe i strukturave juridike, për qëllime politike është pikërisht rezultat i përqendrimit te ligji si mënyra e vetme për të garantuar një proces zgjedhor dhe të ndershëm. Në këtë rast, gjendemi përpara një konceptimi të thjeshtëzuar operacional dhe përshkrues të drejtësisë. Sipas këtij këndvështrimi, drejtësia është thjesht zbatim i ligjit. Termi përkufizohet duke e përgjithësuar atë çka ka tashmë një ekzistencë konkrete, duke ngritur në nivel teorik mënyrën sesi procedohet në realitet në lidhje me çështjen në fjalë. Një arsyetim i tillë teknologjik barazon gjërat me funksionin e tyre, duke qenë se përkufizimi bazohet në mënyrën e funksionimit të drejtësisë konkretisht. Duke e marrë kuptimin nga një gjendje e dhënë e gjërave, kuptim që në të vërtetë përjashton gjykimin apo vlerësimin e kontekstit brenda të cilit krijohen faktet, kategoria "drejtësi" humbet ngjyrimin kritik dhe shndërrohet në një term mashtrues dhe analitik.

Pasoja më e zakonshme e një konceptimi të tillë të thjeshtëzuar është pamundësia e përmirësimit të ligjeve, në kushtet e mungesës së një ideali drejtësie, drejt të cilit ato do të duhej vazhdimisht të synonin. Një pasojë tjetër ka të bëjë me dyfytyrësinë e politikanëve në lidhje me çështjen e zbatimit të ligjit të miratuar prej tyre. Gjatë këtij procesi zgjedhor i kemi dëgjuar shpesh politikanët, duke bërë thirrje në media për zbatimin e ligjit, kur në të njëjtën kohë, në struktura të caktuara zgjedhore, si p.sh në KQZ, instruktojnë përfaqësuesit e tyre që të përdorin aspekte të veçanta legale për të arritur zgjidhje të caktuara politike.

Një konceptim i drejtësisë që do të bënte të mundur depolitizimin e hapësirës juridike, do të konsistonte në trajtimin e barabartë të rasteve të njëjta dhe në trajtimin e ndryshëm të rasteve të ndryshme. Një analizë e tillë jo përshkruese, por vlerësuese do t‘i nxirrte faktet në dritën e tyre të vërtetë, duke mundësuar kritikën e tyre, pa i mbështetur ato.

Në këtë kontekst do të kritikoheshin vendimet kontradiktore të KQZ-së në lidhje me të njëjtat raste të ankimimeve dhe të kërkesave për rivlerësim të votave, apo moskonsiderimi i parregullsive procedurale të vërejtura gjatë gjithë procesit të numërimit të votave duke i cilësuar ato si thjesht teknike etj. Në një kohë kur e drejtë konsiderohet ajo që është në përputhje me ligjin, sa më shumë bëhet thirrje për zbatimin e tij, aq më shumë përdoret ligji për qëllime politike, duke u parë vetëm si një mënyrë për të paraqitur si të drejtë një vendim haptazi politik. Nga ana tjetër, sa më e instrumentalizuar të jetë e drejta pozitive, aq më demagogjik dhe mashtrues bëhet apeli për respektimin e saj. Edhe vetë konceptimi i drejtësisë si zbatim i ligjit dhe arsyetimi analitik në të cilin bazohet ai, bëhet pjesë e sistemit të mjeteve që politika ka në dorë për realizimin e interesave të veta.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›