E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët meritojnë një vend të sigurt

Bill Hughes, drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Britanike të Antikrimit, vizitoi ditët e fundme Shqipërinë. Kjo ishte vizita e dytë e një funksionari të lartë të agjencive të mëdha të luftës kundër krimit të organizuar, thuajse në të njëjtën kohë me atë të funksionarit të lartë të Interpolit z. Nobel.

Në intervistën për të përditshmen "Shqip" z. Hughes nuk e sheh pa lidhje rritjen e interesimit ndërkombëtar për gjendjen e sigurisë në Shqipëri me dobësimin e sistemit të sigurisë në situatë si këto të tri javëve pas zgjedhjeve, ndonëse nuk pranon të komentojë rreth rezultatit dhe mënyrës së zhvillimit të tyre. Krimi i organizuar, brenda një shteti apo brenda një komuniteti më të gjerë, përfitojnë prej dobësive të sistemeve të sigurisë dhe inkurajohen nga çfarëdo shenje humbjeje të kontrollit efikas të zbatimit të ligjit, pohon ai.

I kujdesshëm në zgjedhjen e termave, por edhe diagnostikues për përshkrimin e realiteteve, funksionari i lartë britanik thekson se bashkëpunimi me Shqipërinë për luftën kundër krimit të organizuar është një çështje dypalëshe dhe njëherësh edhe shqetësim i Bashkësisë Europiane; është një dukuri e përgjithshme e botës së sotme, por njëherësh "krimi shqiptar" ka një emër të dallueshëm në Perëndim.

Dashamirës në gjithë parashtrimin e pikëpamjeve të tij për gjendjen e krimit dhe të zbatimit të ligjit në vend, Bill Hughes me finesë tërheq vëmendjen se shqiptarët duhet të rreptësojnë veprimin e ligjit ndaj krimit të organizuar jo sepse kjo është një kërkesë për zgjerimin e Europës në këtë drejtim të Ballkanit, por sepse vetë shqiptarëve pikërisht kjo u duhet, sepse shqiptarët janë një popull që meritojnë më shumë siguri.

Pikërisht në këtë kontekst merr një rëndësi jo vetëm profesionale, por edhe politike thënia e përsëritur e Bill Hughes, që Britania e Madhe, vendi që ai përfaqëson, "mezi pret të formohet një qeveri e re dhe të fillojë bashkëpunimin me të". Gjendja e paqartë politike e krijuar pas rezultateve shumë të përafërta të dy krahëve duket se ka rritur preokupimin në botën europiane, e cila me të drejtë është pikësëpari e interesuar për stabilitetin e bashkëpunimit, për shmangien e të papriturave, për të mos lejuar boshllëqe të gjata që nxisin pasigurinë.

Ajo që meriton të kuptohet më thellë duke lexuar intervistën e z. Bill Hughes është se tani që Shqipëria është një vend i anëtarësuar në aleancën atlantike ka përgjegjësi jo vetëm për të përdorur sigurinë kolektive që ofrojnë aleatët, por dhe të forcojë sigurinë e vet dhe mbi të gjitha të bëhet faktor përforcues i sigurisë për gjithë aleancën, duke e merituar anëtarësinë.

Ashtu siç erdhi më i fortë, më i paekuivok, por dhe më shërues zëri i vëzhguesve europianë pas përfundimit të zgjedhjeve, të cilët i lexuan mangësitë në pajtim me shkallën e përgjegjësisë që vetë Shqipëria kishte ndërmarrë mbi vete duke iu gëzuar anëtarësimit në NATO, ashtu shfaqet më i drejtpërdrejtë interesimi europian, në formën dypalëshe dhe shumëpalëshe, për gjendjet kalimtare që përjeton vendi në këtë periudhë kur njëra qeveri është "në detyrë" dhe tjetra ende nuk e ka marrë ligjshmërinë; po ashtu shfaqet edhe shqetësimi i tyre për të gjitha pikëpyetjet që mund të lindin në vlerësimin e strategjive të bashkëpunimit.

Intervista e z. Bill Hughes shpreh atë gjendje mendimi që shqiptarët e kanë dëshiruar shumë, që të mos ndikohet asnjë institucion prej faktorit të jashtëm për të lexuar vullnetin politik të tyre; por njëherësh të ndihet dhe interesimi i vendeve anëtare të asaj bote që aspirojmë për të na u gjendur në kohë të paqme e më pak të paqme.

Në vlerësimin e një funksionari shumë të lartë si ju, që drejton një agjenci shtetërore të mirënjohur për luftën kundër krimit të organizuar, ç‘është Shqipëria sot për Perëndimin? Është një rrezik i prodhimit të krimit të organizuar, është thjesht një shteg i kalimit të krimit të organizuar, është një "place d‘arme" e krimit të organizuar, apo keni vërtet diçka më të këndshme për të pohuar?

Ne duam që Shqipëria të jetë një partner i fortë i Britanisë në luftën kundër krimit të organizuar. Është në interes të të dyja vendeve tona dhe mund të kemi sukses vetëm nëse punojmë së bashku. Më ka bërë shumë përshtypje bashkëpunimi i fortë Britani-Shqipëri, për të cilin kam parë e dëgjuar këtu në vend; dhe profesionalizmi dhe angazhimi i shumë partnerëve shqiptarë të autoriteteve të zbatimit të ligjit. Shqipëria ka bërë përparim të dallueshëm dhe bashkëpunimi midis nesh po jep përfitime reale. Por duhet bërë më shumë. Shqipëria ka nevojë të forcojë kapacitetet e saj për të zbatuar ligjet. Dhe qytetarët e Shqipërisë kanë nevojë t‘i ndiejnë këto përfitime në jetën e përditshme. Kjo do kërkojë më shumë punë. Qeveria britanike do të vazhdojë të mbështesë në këtë drejtim dhe më gjerë për reformat që do ta afrojnë më shumë Shqipërinë me BE-në. Krimi i organizuar është një sfidë urgjente e përbashkët, por e ardhmja europiane e Shqipërisë është qëllimi ynë i përbashkët.

Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëria bashkëpunojnë për të luftuar krimin e organizuar si rrezik i ndërsjellë apo si një rrezik kalimtar nëpër Europë?

Krimi i organizuar paraqet një kërcënim real për dy vendet tona dhe më tej në rajon. Duke investuar dhe mbështetur reforma dhe veprim në Shqipëri, ne synojmë të reduktojmë dëmin në të dy vendet tona dhe më gjerë në Europë. E që ne tani po shohim rezultate të prekshme.

Ishte një kohë kur një i ri shqiptar prodhoi një pasaporte false në emër të ministrit të Brendshëm të qeverisë së Madhërisë së Saj dhe ai mundi të hyjë në Britani me këtë pasaportë. Ndodhin ende të tilla episode sot?

Përdorimi i dokumenteve false për të udhëtuar apo mundësuar udhëtime nuk është mirë për besueshmërinë e një vendi. Kështu inkurajon regjime strikte vizash, të cilat dëmtojnë perspektivën për udhëtarët e ndershëm - dhe Britania është shumë e interesuar të ketë vizitorë të ndershëm nga Shqipëria. Pa dyshim, ka dënime të rrepta për ata individë që tentojnë të përdorin dokumente false. Ne shpresojmë shumë që pajisja me pasaporta biometrike do ta reduktojë shumë këtë problem. Këto pasaporta janë një hap shumë pozitiv përpara për Shqipërinë.

Krimi i organizuar është një rrezik evident edhe për të administruar vetë strukturat shtetërore. Mendoni se është shfaqur ky rrezik për shtetin shqiptar? Ajo që thuhet zakonisht prej politikanëve tanë, gjendja e "state capture", është një metaforë apo një realitet i drejtpërdrejtë?

Krimi i organizuar është një kërcënim për të gjithë shtetet. Në Shqipëri, përforcimi i zbatimit të ligjit, si dhe rritja e kapacitetit të shtetit për të luftuar krimin e organizuar, duhet të jenë një prioritet urgjent. Siç kam thënë, kjo është në interesin e të gjithëve. Por akoma më me rëndësi për Shqipërinë është gjithashtu nevoja për zhvillim drejt anëtarësimit në BE. BE-ja ka theksuar që zbatimi i ligjit - i cili përfshin një sistem juridik të pavarur dhe asnjanës, si dhe zbatimi i ligjit në mënyrë efektive - janë kushtet paraprake kryesore. Ka akoma mjaft punë për të bërë, në mënyrë që të arrihen standardet e BE-së dhe ato ndërkombëtare. Por kapacitetet e Shqipërisë janë të qarta dhe ekzistojnë themele të mira. Pra, është jetësore që qeveria e re ta shtyjë këtë përpara. Ne, Mbretëria e Bashkuar, qëndrojmë gati për të ndihmuar.

A mund të ekzistojë krimi i organizuar si një krim brenda kufijve të një shteti? A është Shqipëria një vend që mund ta ndërkombëtarizojë krimin e organizuar?

Krimi shqiptar është një shqetësim i vërtetë - për ne, partnerët ndërkombëtarë dhe për shqiptarët e thjeshtë. Për këtë jam këtu. Krimi i organizuar shkatërron jetë personale dhe i bën keq mundësisë së shtetit për të na mbrojtur dhe ndihmuar ne si publik. Duke punuar me autoritetet këtu për të forcuar mundësinë e Shqipërisë për të luftuar këtë formë të rrezikshme të krimit, ne zvogëlojmë dëmin ndaj Shqipërisë, ndaj jush, qytetarëve të thjeshtë, si dhe ndaj pjesës tjetër të Europës.

Si e vlerësoni partneritetin shqiptar për luftën kundër krimit të organizuar? A ka shërbime inteligjence vendëse të përgatitura për bashkëpunim?

Nuk do të komentoj mbi çështje të shërbimit të inteligjencës apo mundësive të saj, për arsye që janë të qarta. Siç e kam thënë tashmë, bashkëpunimi ynë është i mirë - në formë bilaterale dhe nëpërmjet programeve të financuara nga BE - si dhe me një sërë agjencish shqiptare të zbatimit të ligjit. Është arritur një zhvillim i mirë. Mezi presim të vazhdojmë të ndërtojmë mbi të sapo të formohet qeveria e re. Çfarë do të doja unë dhe qeveria ime të shikonim, është vendosmëria politike për të nxitur përpara reformat. Kjo është shumë e rëndësishme për të pasur akoma më shumë zhvillim në këtë kalendar pune.

Sot në Shqipëri jetohet me pasigurinë që sjell pafuqia e shtetit ndaj krimit të organizuar. Me këtë gjendje kriminaliteti që ka Shqipëria a do të mund të bëhej pjesë e Europës nëse do të plotësonte standardet e tjera?

BE ka standarde të qarta për anëtarësim. Siç thashë më parë, zbatimi i ligjit është një pjesë thelbësore e këtyre kërkesave. BE ka theksuar që progresi i këtij procesi është jetësor për të ardhmen e Shqipërisë në BE. Por anëtarësimi në BE nuk duhet të jetë nxitësi kryesor - duhet të jetë edhe vlerësimi i interesit të popullit shqiptar që të luftohet krimi. Shqiptarët meritojnë një vend të sigurt e të begatë.

Shqipëria po kalon një situatë kontrastuese të fortë: opozita dhe qeveria ose më saktë e majta dhe e djathta ndahen vetëm për një votë. Duhet të presim që kjo situatë do të nxisë destabilizimin politik dhe për rrjedhojë dhe inkurajimin e krimit të organizuar?

Nuk do të komentoj rezultatin; dhe sigurisht jo përpara se të jetë finalizuar. Por ajo që është e qartë - dhe e vërtetë në çdo demokraci - është se publiku dhe aktorët politikë duhet të kenë besim te procesi elektoral. Në Shqipëri, kjo do të thotë që procesi të kryhet në një linjë me Kodin Elektoral, në pajtim me të, duke përfshirë edhe fazën e apelimeve. Është e gjitha pjesë e respektit për zbatimin e ligjit; dhe ka rëndësi që të gjitha partitë t‘i përmbahen kësaj. Sapo të mbarojë procesi elektoral dhe të formohet qeveria e re, do të jetë e rëndësishme që ata të përqendrohen në forcimin e zbatimit të ligjit. Kriminelët kërkojnë zona të dobëta të një shteti dhe të sistemeve ndërkombëtare dhe i shfrytëzojnë ato. Ne duhet të pakësojmë hapësirën e tyre për manovrim. Kjo do të kërkojë bashkëpunim të mirë e të vazhdueshëm midis dy vendeve tona dhe reformë të mëtejshme për të ndërtuar kapacitetet e Shqipërisë për të luftuar me sukses krimin.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›