E Diel, 1 Nëntor 2026

Lefter Çeko sjell "Frymëzime nga deti" në Sarandë

Në mjediset e muzeut etnografik të Sarandës, u çel dje ekspozita e piktorit Lefter Çeko, e titulluar "Frymëzime nga deti". Artisti sarandjot, i cili jeton dhe krijon prej vitesh në Greqi, ka sjellë përjetime të holla artistike të hedhura me finesë në telajo, që përcjellin nostalgji, raporte ndjesie dhe ëndërrim të së nesërmes. Ai ka paraqitur për dashamirësit 66 krijime, pjesa më e mirë se së cilave janë realizuar gjatë një pune 15-vjeçare. Lefter Çeko e tregon se hera-herës është sa nostalgjik, aq edhe i ndjeshëm ndaj qytetit të tij e po aq ndien edhe përgjegjësinë si qytetar e artist për t‘i dhënë një tjetër ngjyrim Sarandës së tij. Këtë nostalgji ai e bashkon dukshëm me peizazhet, akuarelet dhe kompozimet e tij. Në promovimin e ekspozitës vetjake të Çekos, mori pjesë edhe kryetari i Bashkisë së Sarandës, Edmond Gjoka, aktoret Margarita Xhepa e Tinka Kurti etj. "Uroj që ashtu si Lefteri kthehet hera-herës në Sarandë midis emigrimit të tij në Greqi, kështu të kthehen edhe krijues të tjerë e ky të jetë si një kthim në Itakë", tha kritiku Josif Papagjoni. Artisti tregon se një pjesë e rëndësishme e ekspozitës së tij përbëhet prej mozaikëve. "Gurët e tyre, thotë ai, janë origjinalë, të mbledhur në 15 vjet udhëtime të miat nga brigjet e disa vendeve të botës". Të gjitha punët me mozaikë janë një shtjellë e mendimit, e dialogut dhe e përfytyrimit të dyzuar, ku ndihet mendimi i kohës që lëviz.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›