E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejtësia propozon penalizmin e 34 prokurorëve të Tiranës

08/09/2009  Alibeaj Ramës: 12 prokurorë propozohen për shkarkim, 10 për transferim

TIRANE- Ministri i Drejtësisë Enkeled Alibeaj me anën e një rekomandimi i ka kërkuar Prokurores së Përgjithshme Ina Rama, që të marrë vendime penalizuese për 34 prokurorë që kanë ushtruar dhe ushtrojnë funksionin e tyre pranë Prokurorisë së rrethit gjyqësor Tiranë. Lajmi bëhet i ditur nga burime pranë Ministrisë së Drejtësisë, të cilat thanë se nga një kontroll inspektimi që inspektorët e saj kanë kryer vitin e kaluar në Prokurorinë e Tiranës, është konstatuar se 34 prokurorë kanë kryer shumë shkelje ligjore në hetimin e çështjeve të ndryshme. Nisur nga kjo situatë, drejtuesit e ministrisë kanë përpiluar një raport në të cilin kanë veçuar, emrat e prokurorëve që duhet të shkarkohen, transferohen, si dhe të ndëshkohen me masa të ndryshme disiplinore. Kështu sipas raportit, që i është dërguar me rekomandim Ina Ramës, Enkeled Alibeaj i kërkon kësaj të fundit shkarkimin nga detyra të 12 prokurorëve, ndërsa për 10 prokurorë të tjerë kërkohen transferimi nga një prokurori në një tjetër. Gjithashtu rekomandimi vlen edhe për 12 prokurorë të tjerë, ndaj të cilëve kërkohen penalizime me masa të ndryshme disiplinore. Mësohet se në materialin që i është dërguar Prokurores së Përgjithshme Ina Rama, thuhet se gjatë kontrollit të inspektimit 34 prokurorëve u janë gjetur shkelje të rënda ligjore. Shumica e këtyre shkeljeve bëjnë fjalë për mënyrën e formulimit të akuzës, kërkimin e masave të sigurisë në gjykatë, ekzekutimin e vendimeve të paraburgimit e të tjera. Ndërkohë që lidhur me këtë çështje nga ana tjetër burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme shprehen se për të vërtetuar shkeljet e 34 prokurorëve, Ina Rama ka urdhëruar Drejtorinë e Inspektimit që të ngrejë një grup pune për të kryer një kontroll të imtësishëm në të gjitha dosjet që kanë hetuar prokurorët e gjetur me shkelje nga inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë. Pritet që puna e këtij grupi të fillojë së shpejti, i cili në kohët në vazhdim do të nxjerrë një raport tjetër, ku do të përcaktojë me imtësi nëse 34 prokurorët e Tiranës kanë kryer shkelje ligjore apo jo. Ndërkaq mësohet se pas këtij raporti të gjithë prokurorët që janë gjendur me shkelje ligjore gjatë hetimit të dosjeve penale, duhet të paraqesin me shkrim pretendimet e tyre. Këto pretendime do analizohen nga anëtarët e Këshillit të Prokurorisë së Përgjithshme dhe më pas, secili prej tyre do të vendosë pro ose jo shkarkimit të kolegëve të tyre. Më pas materiali do i kalojë Kryeprokurores Ina Rama, e cila do i propozojë Presidentit të Republikës Bamir Topi shkarkimin e tyre.

Përplasja dhe rekomandimi

Rekomandimi për penalizmin në detyrë të 34 prokurorëve vjen në një kohë kur marrëdhëniet institucionale, midis Kryeprokurores Ina Rama dhe ministrit Enkeled Alibej nuk janë shumë të mira. Nuk dihet me saktësi nëse Kryeprokurorja do të miratonte rekomandimet e Alibeajt, por tani për tani numri një i akuzës nuk do të marrë asnjë vendim, pa u analizuar dhe inspektuar e gjithë çështja. Kontrolli i Inspektimit në Prokurorinë e rrethit gjyqësor Tiranë ka filluar në muajt e parë të vitit që kaloi. Në të kanë marrë pjesë inspektorët e Drejtorisë së Inspektimit të Ministrisë së Drejtësisë, të cilët me ligjin e ri për “Organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë së Përgjithshme”, kanë të drejtën ligjore të kryejnë kontrolle në të gjitha prokuroritë e vendit.

Shkeljet e kryera:

1. Caktimi i masave të sigurisë

2. Ekzekutimin e vendimeve të paraburgimit

3. Përcaktimin e veprave penale

4. Pushimin e procedimeve penale

5. Shkelje në aspektin procedural

6. Lehtësimin e të pandehurve

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›