E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çelet legjislatura, PS-ja bojkotoi

08/09/2009  Ngrihet komisioni për verifikimin e mandateve. Deputetët bëjnë sot betimin

Partia Socialiste, ashtu siç kishte paralajmëruar, nuk mori pjesë në seancën e parë të Legjislaturës XVIII të Kuvendit të Shqipërisë. Mungesa e saj la bosh 65 karriget e sallës, ndërkohë që në to u ulën 75 kolegët e tyre të mazhorancës, mes tyre edhe opozitari i PBDNJ-së Vangjel Dule. Seanca e djeshme u ndoq nga Presidenti i Republikës Bamir Topi, përfaqësues të akredituar në vendin tonë, diplomatë etj.

Seanca u çel pas ekzekutimit live të himnit të Shqipërisë dhe u ndoq më pas nga përshëndetja e drejtuesit të seancës, Fatos Beja. Ai kujtoi se secili prej tyre ka të gjithë detyrimin si ligjbërës t’u shërbejë me devotshmëri interesave të atdheut tonë, integrimit të plotë të Shqipërisë në Evropën e Bashkuar. “Nëse legjislatura XVII do të ngelet në historinë e vendit si legjislatura e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, unë uroj që kjo legjislaturë të jetë ajo e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Kjo aspiratë e të gjithë shqiptarëve, fatmirësisht e mbështetur nga të gjitha grupet politike, kërkon mbështetjen në çdo hap të të gjithë ligjvënësve, në ditët, muajt e vitet që vijnë. Fjala dhe vota janë, kryefjala dhe kallëzuesi i veprimit parlamentar. Unë uroj të dalim të gjithë faqebardhë në detyrat që na takojnë si deputetë”, - theksoi Beja. Më tej Kuvendi procedoi me ngritjen e Sekretariatit të Përkohshëm të Kuvendit, i cili do të funksionojë deri në zgjedhjen e Byrosë së Kuvendit, sipas përcaktimeve të nenit 2 të Rregullores së Kuvendit. Në këtë mënyrë, Gerti Bogdani, Ledina Aliolli dhe Pavlina Hoti u zgjodhën anëtarë të këtij organi të përkohshëm të Kuvendit. Gjithashtu me propozim të grupeve parlamentare u ngrit edhe Komisioni për Verifikimin e Mandatit të Deputetëve. Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, propozoi deputetët Jemin Gjana, Mesila Doda, Osman Metalla dhe Eduart Halimi. Ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim përmes deputetit Dritan Priftit propozoi emrin e deputetit Nasip Naçi. Këta pesë anëtarë do të verifikojnë legjitimitetin e 140 deputetëve dhe raportin do t’ia paraqesin Kuvendit në seancën e sotme, ku ata do të bëjnë edhe betimin. “Është e nevojshme që për këtë komisioni të bëjë mbledhjen e tij dhe raportin t’ia paraqesë seancës së radhës. Në këtë mënyrë, seanca ndërpritet dhe rifillon nesër në orën 18:00”, - lajmëroi drejtuesi i seancës, Beja. Po sot kjo seancë do të zgjedhë edhe kryetarin e ri të Kuvendit.

Neni 3 (Rregullorja e Kuvendit)

1. Kuvendi në mbledhjen e tij të parë zgjedh një komision të përkohshëm për verifikimin e mandateve të anëtarëve të tij. Komisioni përbëhet nga 9 deputetë dhe pasqyron, për aq sa është e mundur, përbërjen politike të Kuvendit siç del nga rezultati i zgjedhjeve. Propozimet për përbërjen dhe Kryesinë e komisionit bëhen nga përfaqësuesit e grupimeve politike dhe miratohen nga Kuvendi me votim të hapur, me shumicën e votave, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të tij.

2. Komisioni i Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve shqyrton dokumentacionin përkatës të zgjedhjeve dhe brenda 2 ditëve i paraqet Kuvendit në seancë plenare raportin për vlefshmërinë e mandateve të deputetëve të Kuvendit. Në rast se Komisioni vëren paligjshmëri në zgjedhje, i propozon Kuvendit dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese. Kërkesa drejtuar Gjykatës Kushtetuese, e hartuar nga Komisioni, duhet të nënshkruhet nga jo më pak se një e pesta e të gjithë deputetëve brenda 3 ditëve nga leximi i raportit. Nëse në përfundim të kësaj periudhe kërkesa nuk është nënshkruar dhe dërguar në Gjykatën Kushtetuese, deputeti ftohet të bëjë betimin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›