E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drejtësia virgjëron Ilir Metën me cat-gut

Share

Nga Gjergj Thanasi

Besoj se lexuesit e mbajnë mend atë marifetin jo fort të rrallë nga koha e komunizmit, të qepjes së femrave. Kishte femra të shkathëta, që pasi kishin bërë qejf mullarëve të kooperativës apo bunkerëve në periferi të qytetit, kujtoheshin edhe për tu martuar. Kur gjenin ndonjë mashkull pa eksperiencë, mundoheshin ta bindnin se ishin femra të urta, goca shtëpie etj. Gjithsesi e kaluara prej qejflie i pengonte në këtë drejtim. E vetmja mundësi mbetej qepja e himenit të shqyer, për ta mashtruar burrin që natën e parë të martesës. Gjendeshin infermiere ose mjekë të pandërgjegjshëm apo edhe zemërmirë, që i ndihmonin këto kuçkat të bëheshin të ndershme. Për këtë mjaftonte një age nja 20 cm cat-gut (fill për qepje në kirurgji) dhe hop shoqja na bëhej virgjëreshë.

Në këtë mes janari të vitit 2012 një fat i tillë i ndodhi edhe Ilir Metës. Meqenëse Kryeministri Berisha si paladin i njohur antikorrupsionist nuk mund të pranonte në kabinet një ministër jo të virgjër nga pikëpamja e korrupsionit, Metës iu desh të kërkonte ndihmën e gjykatësve të Shpresës, që të virgjërohej institucionalisht. Drejtësia njëlloj si infermierja e komunizmit e kreu detyrën duke na e virgjëruar Ilir Metën me vendim gjyqësor me firmë e me vulë. Cat-guti dhe agia për qepje qëlluan ca të shtrenjta, nja dy milion euro copa, por si thoshte Fransuaja II-të, Mbreti i Francës: Parisi ia vlen një meshë. Nuk janë asgjë nga dy milion euro për infermiere drejtësie para mundësisë madhore, që Ilir Meta të rikthehet ministër apo zv/kryeministër, me qëllimin e mirë për të kontribuar për integrimin europian të Shqipërisë.

Tani mbetet të shihet nëse populli shqiptar do të jetë si djemtë e papërvojë të komunizmit, që e hanin qepjen për virgjëri apo do ta ndëshkojë nusen (Ilir Metën), që kërkon ta mashtrojë burrin (popullin shqiptar), që ditën e parë të martesës. Për sa i përket ndërkombëtarëve ato shpesh herë më kujtojnë sekretarin e partisë të komunizmin, që në raste të tilla ngutej i pari për tia hequr njollën vajzës qejflie. Në këtë kontekst mund të rezultojnë interesante dokumentet e degës së punëve të brendshme së një rrethi, ku përshkruhet në mënyrë të detajuar se si një sekretar partie ia hoqi një njollë të ngjashme me këtë të Ilir Metës ish sekretares së Gjykatës. Kjo njollë heqje u trajtua në nivelet më të larta të partisë dhe pushtetit në rreth. Në arkiv i gjithë ky proces është i mirëdokumentuar. Viti 2011 ishte viti i pranverës arabe, le të shpresojmë se 2012 do të jetë viti i lindjes ish komuniste. Nuk duhet të harrojmë se pranvera arabe filloi me ca wiki-leaksa, që bënin fjalë për korrupsionin e përbindshëm të Ben Alisë të Tunizisë. U desh të vetëdigjej një zarzavatexhi tunizian, që diktatorët arabë të përfundonin në ekzil, në burg apo në morg si Gedafi. Ndërsa shkruaj këto rreshta më kujtohen shprehjet sa sfiduese aq idiote të diktatorit Alia: Shqipëria nuk është as lindje as perëndim, Nuk tundet Taraboshi nga era, etj, etj. Në këtë shekull të ri mund të deklarojmë me krenari se Shqipëria nuk është Tunizi, sepse ne mbjellim arrorë dhe japim koncesione për ndërtim hidrocentralesh fshati. Jo, Shqipëria nuk është Egjipt, sepse ka vetëm El Baradei, por nuk ka rini të sheshit Tahrir, ka vetëm lule dele, që pinë kafe lokaleve të Bllokut. Atëherë ia pafshim hairin virgjërisë së Ilir Metës qepur me spangon e drejtësisë shqiptare.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›