Ndërtimi i mirëbesimit dhe ulja e tensioneve
Irlanda ka marrë kryesimin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE), organizmi më i madh dhe më i suksesshëm për siguri rajonale, që shtrihet në hemisferën veriore, nga Vankuveri deri në Vladivostok. Edhe pse jo aq e njohur si BE-ja apo OKB-ja, OSBE-ja luan rol të rëndësishëm në garantimin e sigurisë dhe stabilitetit të Europës dhe të rajonit të OSBE-së në tërësi. Gjatë Luftës së Ftohtë ishte një forum kyç për ndërtimin e mirëbesimit dhe për uljen e tensioneve mes Lindjes dhe Perëndimit. Puna e saj e vazhdueshme për kontrollin e armëve dhe të transparencës ushtarake mbetet po aq qendrore për sigurinë e Europës, siç ka qenë edhe mbi tridhjetë vjet më parë.
OSBE-ja nuk shërben vetëm për ndërtimin e besimit në çështjet e sigurisë. Risia më e madhe e OSBE-së është nocioni se siguria nuk është vetëm një çështje ushtarake, por ajo ndërlidhet me një ekonomi që funksionon, një mjedis të qëndrueshëm, si dhe me gëzimin e të drejtave të njeriut nga të gjithë. Ajo u ofroi një rrugë paralele atyre që nuk shihnin asnjë alternativë ndaj konfrontimit midis dy blloqeve ideologjike. Fokusi i saj i fortë te të drejtat e njeriut ofroi ndihmë për ata, të drejtat e të cilëve janë shkelur, duke kontribuar kështu në zhvillimin e shoqërive më demokratike. OSBE-ja ka dhënë, gjithashtu, kontribut të rëndësishëm për rehabilitimin pas konflikteve dhe ndërtimin e shtetit në Europën Juglindore.
Shpeshherë, që nga marrja e kësaj detyre, më kanë pyetur pse Europa ende ka nevojë për OSBE-në, tani që më shumë se njëzet vjet kanë kaluar që pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, dhe çfarë mund ti sjellë Irlanda Organizatës. Lufta e Ftohtë mund të ketë përfunduar, por shumë punë duhet bërë për realizimin e qëllimit të OSBE-së për siguri të plotë. Kriza globale financiare ka pasur ndikim të fuqishëm në Europë dhe ka shfaqur nevojën për veprim kolektiv, pasi asnjë vend nuk mund të merret me ndikimin e krizës duke qenë i izoluar. E njëjta gjë vlen edhe për kërcënimet transnacionale, me të cilat tani merret OSBE-ja. Pavarësisht nëse flitet për krim të organizuar apo terrorizëm, siguri kibernetike ose trafikim të qenieve njerëzore, nuk ka vend që të mund të merret me këto çështje pa bashkëpunimin e fqinjëve të tij. OSBE-ja është, gjithashtu, në krye të trajtimit të të ashtuquajturave konflikte të zgjatura: ne mbështesim përpjekjet e Grupit Minsk lidhur me konfliktin në Nagorni-Karabak, marrim pjesë në bisedimet 5+2 për zgjidhjen transdniestriane, si dhe në Diskutimet Ndërkombëtare të Gjenevës që kanë të bëjnë me konfliktin në Gjeorgji, në gusht të vitit 2008. Misionet e OSBE-së në terren, nga Shqipëria në Uzbekistan, po kryejnë punë thelbësore në mbështetjen që u japin vendeve pritëse që tu përgjigjen më mirë nevojave të popujve të tyre.
Çdo qeveri irlandeze ka përkrahur multilateralizmin efikas. Ne e marrim seriozisht anëtarësinë tonë në organizatat ndërkombëtare dhe krenohemi me historinë e kryesimeve të suksesshme të BE-së dhe me zgjedhjen për vende jo të përhershme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Marrja përsipër e kryesimit të OSBE-së thekson qartë angazhimin e Irlandës për ruajtjen e paqes dhe të sigurisë ndërkombëtare, në përputhje me Kartën e OKB-së, si dhe me respektimin e të drejtës ndërkombëtare.
Prioritetet që kam theksuar në fjalën time para OSBE-së, në Vjenë, më 12 janar, përfaqësojnë një qasje ambicioze, por të balancuar ndaj sfidave me të cilat përballemi. Unë do të punoj së bashku me të gjitha shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së për ndërtimin e konsensusit rreth një sërë vendimesh që do të riafirmojë rolin qendror të OSBE-së si një garantuese e lirive themelore. Në veçanti, unë besoj se qytetarët duhet të kenë të drejtë të gëzojnë të drejtat e njeriut të njohura prej kohësh, siç është liria e shprehjes dhe liria e medias, pavarësisht nga forma në të cilën ato ushtrohen. Unë do të pres një Konferencë për Lirinë e Internetit në Irlandë, Kryeqendra e Internetit në Europë, në qershor të këtij viti, për të shqyrtuar këtë çështje. Gjithashtu, dua të nxjerr në pah përvojën unike të Irlandës në zgjidhjen e konflikteve, duke organizuar një konferencë në muajin prill, ku do të paraqiten aspektet e shembullit të Irlandës së Veriut si një rast studimi.
Ndërsa i afrohemi dyzetvjetorit të Aktit Final të Helsinkit, të vitit 1975, që çoi në krijimin e OSBE-së, unë zotohem të punoj me Kryesitë e ardhshme, në mënyrë që Organizata të merret sa më mirë me kërcënimet aktuale dhe të ardhshme. Ashtu sikurse teksti origjinal i këtij dokumenti i angazhoi kundërshtarët në Luftën e Ftohtë ti zhvillojnë marrëdhëniet e tyre të ndërsjella në një mënyrë të re, ne duhet të sigurojmë se OSBE-ja, tani, pas dyzet vjetësh, të jetë e gatshme për sfidat e një bote të pasigurt.
*Zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë i Irlandës. Që prej 1 janarit ai mban detyrën e kryetarit të radhës së OSBE-së.
