Një satelit në rënie kuq e zi
Para do kohësh, një satelit humbi lartësi dhe u kuturis nëpër hemisferë, duke kuriozuar mbarë botën se ku do të soste ngarendin e tij në theqafjen fatale dhe të pashmangshme me tokën. Kur dëgjon dhe sheh të tilla ngjarje, vetvetiu të vjen të gjesh analogji të lëvizjeve njerëzore me kësi dukurish fizike.
Është një satelit në Tiranë që po kryen të këtilla trajektore, pak si jashtë orbite, duke kuriozuar shumëkënd se ku do të bjerë, ngase edhe ai nuk është imun prej forcave të gravitetit.
Bëhet fjalë për liderin e Aleancës Kuq e Zi. Ky zyrtar, i mandatuar në një ofiq shumë të rëndësishëm të shtetit, ka humbur lartësi dhe po vërtitet lart e poshtë në pritje për të rënë diku. Sakaq, elipsi i tij po shkakton zhurmë dhe tërsëllimë për të gjithë ata që nuk e njohin mjaftueshëm, atë vetë dhe çka ai rreket të përfaqësojë, duke e quajtur kauzë kombëtare.
Si gjithë vendet e Ballkanit, edhe Shqipëria dhe shqiptarët kanë në stofin e tyre një segment të nacionalizmit radikal. Në këtë truall të pandreqshëm nacionalist nuk është e vështirë të gjesh pasues, të cilët, teksa nuk përballojnë dot realitetin shpesh të ashpër, janë gati të nanurisin ëndrra kuq e zi, duke gjetur kështu ngushëllim dhe fajtorë për çka nuk ecën si duhet.
Andaj, mendjet e ndritura të këtij kombi, gjatë rrugëtimit historik nuk i kanë fryrë asnjëherë më shumë se duhet kësaj ane, pasi dihet se kjo do të sillte më së shumti pasoja.
Atdhedashuria dhe patriotizmi në Shqipëri kanë pasur kurs tjetër qysh me Skënderbeun, Rilindjen kombëtare e më vonë. Përfaqësuesit e kësaj lëvizjeje, mendje afërmendsh më të ndritura se sa prijësit e Aleancës së ditëve tona, kanë pasur si busull të nacionalizmës së tyre, jo kapardisjet dhe sherret me fqinjët, sigurisht të njohur për mungesën e dashurisë ndaj vendit tonë, por lidhjen me Perëndimin. Europa ishte zgjedhja që ata kanë bërë. Kontinenti i vjetër ka qenë orientimi politik dhe vektori thelbësor i identitetit tonë.
Me lidhjet e Skënderbeut me Vatikanin, me rilindësit me frymën dhe kulturën e tyre, me zgjedhjen e alfabetit latin etj. Në ditët tona kjo trashëgimi është ruajtur dhe zor të gjesh në lidershipin politik apo të sferës publike ndokënd që bredh jashtë këtyre shinave.
Patriotizmi i natyrshëm i shqiptarëve është Perëndimi, Brukseli dhe afrimi me këtë familje dhe ndarja e të njëjtave vlera. Dhe në këtë sens, lajmi më i mirë që mund të merrnin shqiptarët në këtë vit me shumë frymë heroizmi kombëtar, është marrja e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE. Përpjekjet e tjera janë disi jonatyrale dhe, si të këtilla, janë pragmatiste, me synime politike dhe elektorale.
Kjo ka të bëjë me kauzën. Le të vijmë tek ata që janë në krye të Lëvizjes, pra të Aleancës Kuq e Zi. Kur i sheh këta udhëheqës në retorikën e tyre për të shpëtuar Shqipërinë dhe kombin, të kap një gaz i pandalshëm. Kushdo që njeh prijësin e Aleancës, e di mirë se i vetmi interes kombëtar për atë është interesi personal, i mirëqenies së atij vetë, i ambicies së pafre të një karrieristi të parealizuar, që dikush padrejtësisht i ka mbushur mendjen se është lider.
Bash në kohën që ky lider është mandatuar të drejtojë një prej zyrave më të rëndësishme të shtetit që ka lidhje me drejtësinë në vend, kanë ndodhur disa prej dështimeve më të mëdha në Gjyqësor.
Ky zyrtar i lartë, të cilin e ngarkon Kushtetuta me drejtimin e pushtetit të tretë, jo vetëm që nuk jep shpjegime dhe llogari për degjenerimin dhe rënien e gjykatës përballë disa ngjarjeve të rënda dhe disa organizatave kriminale, por sakaq, ai prore vazhdon të shpëtojë kombin, ndërkohë që Drejtësia është në ditët më të këqija që prej vitit 90 e këtej, dhe këtë e thonë shumë specialistë dhe qytetarë viktima që kanë pasur fatin e keq të kenë punë me togat e zeza.
Prijësi i Aleancës po i tregon kombit rrugën dhe identitetin. Në fakt, pas kësaj lëvizjeje ne shqiptarët kemi tashmë një përkatësi të re. Jemi i vetmi vend në Europë ku një zyrtar i lartë i Drejtësisë bredh politikisht nëpër studio, sheshe dhe avenue, duke braktisur punën dhe detyrën dhe ku askush nuk thotë asgjë.
Qershia mbi tortë në gjithë trajektoren e stalitit kuq e zi, është pa dyshim një këngë që doli kohët e fundit në televizionet muzikore shqiptare. Një këngë kushtuar nga fillimi në fund kryekreshnikut. Duke qenë kështu, sado që artistët e njohur kanë derdhur talentin e tyre në këtë produksion, kjo nuk të ndalon të mbash barkun me dorë nga të qeshurat kur shesh kreun e Lëvizjes që shfaqet prore në klip duke bërë skena dhe gjeste të larta atdhedashurie.
Problemi është se kjo po kthehet në dukuri, dhe loja me ngjyrat kuq e zi dhe evokimi i ideve të këtilla smund të kalohet më me indiferentizëm.
Nacionalizmi më i mirë që mund të kishte vendi ynë do të ishte kërkesa dhe presioni i qytetarëve ndaj politikës dhe politikanëve shqiptarë që të afrojnë anëtarësimin në BE, që të kryejnë detyrën e tyre, të ulen në tryezë dhe të merren vesh, pasi ka disa vite që nuk bien dakord për asgjë, duke i shkaktuar Shqipërisë kosto shumë të rëndë në procesin e integrimit.
Patriotizëm do të ishte tu kërkohej llogari udhëheqësve të politikës se përse e penalizojnë vendin duke mos lëshuar nga interesat e tyre për interesat e Shqipërisë. Dhe ky patriotizëm do të kishte vend pikërisht tani që Bashkimi Europian pret diçka nga Shqipëria përpara se të vendosë për marrjen e statusit të kandidatit.
Lëvizjet e tjera janë pa dyshim kalkulime personale dhe larg realitetit. Nacionalizmi, me sa duket, është streha e fundit e karrieristëve. Shqiptarët kanë halle të tjera.
