E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Drejton Shoqatën e Mjekëve Shqiptarë në Gjermani, kirurgia Marsela Ceno: Mungesa e sigurisë në kushtet e punës, arsyeja kryesore e largimit të mjekëve

Mjekja kirurge Marsela Ceno prej dhjetë vjetësh jeton dhe ushtron profesionin e saj në Gjermani, ku drejton edhe Shoqatën e Mjekëve Shqiptarë atje. E ftuar në emisionin “Në radio” të gazetarit Andri Xhahu, Ceno u shpreh se synimi është fuqizimi i rrjetëzimit të mjekëve shqiptarë në Gjermani. “Përveç mjekëve, shoqatës i janë bashkuar infermierë dhe fizioterapistë. Edhe ky është një fenomen i ri, largimi në masë i infermierëve dhe fizioterapistëve. Ka interes për të qenë pjesë aktive e shoqatës. Kjo shoqatë përveç asistencës që u jep pacientëve shqipfolës në Gjermani, plotëson edhe pjesën sociale të jetës sonë.”

Sipas mjekes, shifrat e para dy viteve të publikuara nga Dhoma Federale e Mjekëve në Berlin flasin për 1500 mjekë që punojnë në Gjermani. “Këtu përfshihen edhe mjekët që vijnë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Ky numër mund të jetë edhe më i lartë sepse ka mjekë që janë ende në procesin e njohjes së diplomës ose mjekë që kanë ndryshuar shtetësinë.”

E pyetur se si e vlerëson propozimin e qeverisë për të lidhur një kontratë me studentët e mjekësisë që i detyron ata që pas përfundimit të studimeve të punojnë minimalisht tri vite në Shqipëri pas diplomimit ose përndryshe duhet të paguajnë tarifën e plotë të studimeve, Ceno shprehet: “Qeveria më në fund e ka kuptuar që kemi një problem, largimin e mjekëve shqiptarë dhe ka filluar të hartojë masa se si të frenohet ky fenomen. Po të shikojmë shifrat e dhjetë viteve të fundit, i tërë produkti i mjekëve të sapodiplomuar, që financohet dhe edukohet në Shqipëri, po punon në Gjermani. Pra Gjermania po i merr të gjithë mjekët e gatshëm dhe shpenzimi që ka shteti gjerman për këta mjekë që punojnë në të gjitha spitalet e Gjermanisë është zero. Shqipëria ka të drejtë të thotë që ose Gjermania të kthejë diçka mbrapsht ose ne do të frenojmë largimin e mjekëve, të cilët të paktën tri vjet të punojnë në Shqipëri. Studentët që diplomohen nuk japin asnjë ditë kontribut për sistemin shëndetësor në Shqipëri.”

Sipas mjekes, kjo masë është e drejtë por nuk mjafton. “Nuk është pagesa e mjekut arsyeja kryesore që ata largohen, por është cilësia e studimit dhe specializimit, si dhe siguria në kushtet e punës. Në qendrat spitalore, përveç Tiranës, ka mungesë të kushteve. Kjo i vë mjekët në situatë të vështirë. Duke mos e pasur sigurinë që ata mund të ofrojnë shërbimin maksimal ndaj pacientëve, aty krijohen pakënaqësi dhe pacientët bëhen agresivë. Duhet t’u japësh llogari atyre, nuk je i sigurt në punën që bën, dhe nëse ndodh diçka të vjen furgoni i policisë dhe të shoqëron në komisariat. Janë gjëra që e denigrojnë figurën e mjekut. Këto nuk ndodhin në Gjermani. Edhe mua mund të më ndodhë të humbas pacientin tim për shkak të një gabimi mjekësor ose edhe në operacion, por nuk më vjen furgoni i policisë të më vërë prangat. Janë të tjera instanca që marrin përsipër sqarimin e kësaj situate. Ne jemi të mbrojtur si mjekë. Edhe në Shqipëri ndarja mes çështjes penale dhe gabimit mjekësor ose pakujdesisë ka filluar të shihet e diferencuar dhe kjo është një shenjë shumë e mirë.”

Ceno propozon përmirësimin e kushteve të studimit. “Studentët ankohen për literaturën që nuk është aktuale apo që nuk ka mjaftueshëm mikroskopë për studentët e kursit të patologjisë dhe anatomisë. Ajo që vërtetë bën diferencën është edhe ndryshimi i kulturës së punës. Ne në Gjermani punojmë me ndërgjegje të madhe, respektojmë orarin e punës si dhe respektojmë pacientin. Të njëjtën frymë dhe kulturë pune ta sjellim edhe në Shqipëri.”

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›