E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drejtoresha e MIA-s: Kush dëshiron dialog me Ramën i mirëpritur, dyert janë të hapura

TIRANË, 20 tetor/ATSH/ Drejtoresha e përgjithshme e Agjencisë për Media dhe Informim, Manjola Hasa ka dalë sot para Kryeministrisë, teksa po zhvillohej protesta e pedagogëve, për të përsëritur ftesën e kryeministrit Edi Rama për diskutim me protestuesit.

Hasa tha se për studentët, të rinjtë dhe qytetarët që dëshirojnë të dialogojnë me kreun e qeverisë janë të mirëpritur dhe se dyert janë të hapura për ta.

“Unë jam këtu nisur nga ftesa e hapur për dialog, për këdo që është i interesuar të dialogojë me Kryeministrin. Ka studentë, të rinj, qytetarë që janë të interesuar të dialogojnë. Unë jam këtu. Unë nuk jam këtu të flas në cilësinë e vendimmarrëses. Jam në emër të qeverisë. Qytetarët që duan të bëjnë këtë dialog me Kryeministrin janë të mirëpritur, i kanë dyert e hapura”, tha Hasa.

Pedagogët zhvilluan sot një marshim paqësor në mbështetje të studentëve, të cilët po protestojnë prej 7 ditësh në Tiranë.

/k.s/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›