E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejtoresha e Ndermarrjes nr. 2 ne Bashkine e Tiranes inspekton punimet per thellimin e Lanes

Drejtoresha e Ndërmarrjes nr. 2 në Bashkinë e Tiranës Luzhiana Abazi, së bashku me Drejtorin e Ndërmarrjes së Ujësjellës – Kanalizimeve, Sahit Dollapi  kanë  inspektuar sot punimet  emergjente që po kryhen për thellimin e Lanës, në zonën e Shkozës. Fryrja e Lanës nga intensiteti i rreshjeve të shiut, kuota më e ulët e kolektorëve dhe ndërtimet sipër tij kanë bërë që uji vazhdimisht gjatë viteve të fundit, të vërshojë në oborret e banesave. Që nga dita e djeshme po punohet me eskavatorë dhe mjete të tjera, për të shmangur sa më shumë vërshimin e ujrave në banesa, ndërsa në projektin afatgjatë, aty do të sistemohet shtrati i Lanës, siç është vepruar pranë Maternitetit “Koço Glozheni”.  
“Siç e shikoni, këtu po bëhet zgjerimi i shtratit të Lanës. Në fakt jemi në stadin e emergjencës, janë angazhuar të gjithë punëtorët e drejtorive përkatëse të Bashkisë së Tiranës, në bashkëpunim edhe me Ujësjellës – Kanalizimet e qytetit të Tiranës, në mënyrë që banorët të mos e kenë më shqetësim për momentin, deri në ndërhyrjen afatgjatë. Na vjen keq për tendencën për ta politizuar edhe këtë problem, siç pamë dje në një televizion. Këtu nuk ka të bëjë as politika, as shprehjet politike të burrit që doli si banor apo të gruas së tij, që foli si këshilltare socialiste, pasi Bashkia e Tiranës i trajton dhe do t’i trajtojë të gjithë banorët e kryeqytetit si të barabartë. Kjo nuk do të thotë që puna ndalet këtu, do të vazhdojë të bëhet sistemimi i shtratit të Lanës, ashtu siç është edhe në segmentet më poshtë. Këto janë probleme të mbartura jo në gjashtë muaj dhe as në një vit, por janë probleme 8 vjeçare e më shumë dhe natyrisht ne nuk mund t’u japim zgjidhje të gjithave në një ditë, pasi problematika siç e dinë qytetarët e Tiranës është e madhe por ne  jemi të vendosur të vazhdojmë punën, në mënyrë që banorët e Tiranës të mos kenë më probleme”- u shpreh Drejtoresha e Ndërmarrjes nr.2 në Bashkinë e Tiranës, Luzhiana Abazi.
Sipas Abazit, ndërhyrjet e bëra në shtratin e Lanës kanë dhënë rezultate dje. Edhe pse intensiteti i shiut ishte i lartë, nuk u panë përmbytjet e përvitshme në zonën e Tiranës së Re e cila njihet si Pallati me Shigjeta. 
“Zonë problematike ngelet zona e “Don Boskos”, pjesa tek ish-Frigoriferi apo rruga “Siri Kodra” dhe një pjesë tek rruga “Xhanfize Keko”. Kjo nuk ka ndodhur për mospastrimin e kunetave të shiut apo ujërave të kanalizimeve. Fakti është që mbi kolektorë janë ndërtuar pallate 10-15 katësh dhe për t’i pastruar këta kolektorë duhet më parë ti prishim këto ndërtime dhe të lëmë mijëra banorë përjashtë. Kjo natyrisht që nuk është zgjidhje, prandaj ne po punojmë në bashkëpunim me Ndërmarrjen e Ujësjellës –Kanalizimeve, për të bërë kolektorë të rinj, gjë të cilën e kemi nisur në rrugën “Don Bosko””, deklaroi ajo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›