LSI mbyll Konventën Zgjedhore, miratohen ndryshimet në Statut

Ilir Meta: Procesi transparent, votimi elektronik risi suksesi për LSI-në
Lëvizja Socialiste për Integrim ka zhvilluar ditën e dytë të Konventës Kombëtare, forumin më të lartë të kësaj force politike. Dita e dytë e Konventës nisi me një mesazh të shkrimtarit Dritëro Agolli ndërsa më pas Konventa u përshëndet edhe nga tre krerët e LSI-së në Greqi. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama tha se gjatë ditës së djeshme dhe të sotme kanë ardhur mjaft mesazhe urimi dhe mbështetëse, por më i veçanti ishte ai i shkrimtarit të madh, Dritëro Agolli. Në mesazhin e tij, Dritëro Agolli denoncoi atë që e quajti, mikrobi i shumëfjalësisë, ku sipas tij për njëçerek shekulli dëgjojmë ata që bëjnë të njëjtën hyrje në fjalime, arrogante dhe mendjemadhe. Në një prononcim për mediat pas votimit për këshillin drejtues, kreu i LSI-së e ka cilësuar procesin si transparent ndërsa ka theksuar se në votim ka një pjesëmarrje masive. “Ka një pjesëmarrje masive por është të një proces tepër transparent dhe i shpejtë sepse gjysmë ore pas përfundimit të procesit do të printohen edhe rezultatet e para. Dhe është një proces modernizmi pasi kjo metodë që do të ndodhë në qarkun e Fierit në 2013. Është tepër e rëndësishme të ecet drejt këtyre votimeve sepse ka transparencë dhe i orienton në shumë pozitive zgjedhësit”- tha Meta. I pyetur në lidhje me një koalicion me PDIU-në, Meta u përgjigj se një vendim i tillë do të merret nga Konventa. “Unë e bëra të qartë se koalicioni vendoset në kohën e duhur dhe ky vendim do të jetë pronësi e kësaj konvente dhe jo e kreut të partisë. Ne do të bashkëpunojmë me PDIU-në për të çuar përpara njohjen dhe zgjidhjen e çështjes çame ashtu si edhe do të bashkëpunojmë edhe forcat e tjera politike për integrimin e vendit”- tha Meta. Kështu pas dy ditë punimesh, Konventa Kombëtare ka miratuar ndryshimet në statut, programin e kësaj force politike ndërsa priten që më vonë të dalin edhe rezultatet e votimit për forumet drejtuese të LSI-së. Ndërkaq, kreu i LSI-së Ilir Meta ka përgëzuar ndryshimin e statutit të kësaj force politike në Konventën Kombëtare. Ndërsa në fjalën e tij përmbyllëse, u ndal sërish te objektivat e forcës politike që ai drejton në rritjen ekonomike, çeljen e vendeve të reja të punës dhe integrimin e vendit në Bashkimin Evropian. “Dua të përgëzoj grupin e punës për programin sidomos për çështjet ekonomike dhe dua të theksoj se për LSI-në punësimi mbetet mjaft i rëndësishëm por ajo që është thelbësore edhe në raport me PD-në është se që kjo rritje ekonomike duhet të shkojë në interes të punësimit në vend pasi kjo krizë që ka përfshirë Evropën absolutisht që kërkon mbrojtjen e infrastrukturës sepse kjo është e rëndësishme në një plan afatgjatë. Duhet të luftojmë më shumë edhe në qeveri për këto çështje dhe jo vetëm në forumet e LSI-së”- tha Meta.
...