Drejtoresha e Panairit të Librit të Lajpcigut viziton stendën e Shqipërisë

TIRANË, 20 mars /ATSH/ Panairi Ndërkombëtar i Librit në Lajpcig (Gjermani), një ndër ngjarjet më të rëndësishme të letërsisë në Evropë, po mbahet këtë vit nga 19 deri më 22 mars dhe përfaqëson një platformë kyçe për promovimin e letërsisë, kulturës dhe botimeve nga vende të ndryshme të botës.
Drejtoresha e Panairit të Librit në Lajpcig, Astrid Böhmisch, vizitoi stendën e Shqipërisë, duke vlerësuar pjesëmarrjen dinjitoze dhe përfaqësimin cilësor të letërsisë shqipe në këtë ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare, njofton QKLL. Prania shqiptare u konsiderua si një tregues i zhvillimit të vazhdueshëm të sektorit të librit dhe i rritjes së interesit për autorët shqiptarë në hapësirën europiane.
Gjatë vizitës, ajo vuri në dukje rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit kulturor ndërmjet Shqipërisë dhe Gjermanisë, veçanërisht në fushën e botimeve dhe përkthimeve letrare. U theksua se ekziston një potencial i madh për zgjerimin e shkëmbimeve mes autorëve, përkthyesve dhe shtëpive botuese, duke krijuar ura të qëndrueshme komunikimi mes dy kulturave.
Pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë edicion zhvillohet nën temën “Kur historitë na lidhin”, një koncept që thekson rëndësinë e letërsisë si mjet dialogu mes kulturave dhe si urë komunikimi përmes tregimeve dhe përvojave njerëzore. Kjo moto reflekton qasjen e panairit për të nxitur bashkëbisedimin kulturor dhe për të vënë në dialog zërat letrarë nga vende të ndryshme.
Në hapësirën e përbashkët të organizuar nga Traduki, një rrjet europian që mbështet letërsitë e Evropës Juglindore, Shqipëria prezanton botimet e saj më të reja, duke theksuar vlerat e letërsisë shqipe dhe trashëgiminë kulturore që ajo përfaqëson.
Ky panair është shumë më tepër se një ekspozitë libri: ai është një platformë ku autorë, botues, përkthyes dhe lexues ndërveprojnë, shkëmbejnë ide dhe nxisin bashkëpunime të reja. Me mbi mijëra ngjarje të organizuara, lexime, panele dhe prezantime të titujve më të fundit, panairi ofron një mundësi të jashtëzakonshme për botimin dhe shpërndarjen e librave jashtë kufijve kombëtarë.