E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA – Aktivistët ndërhyjnë me forcë në “Ridglan Farms” për të shpëtuar qentë e përdorur për kërkime bio-mjekësore

UASHINGTON, 20 mars /ATSH/- Një incident i pazakontë ka ndodhur në shtetin e Wisconsin, ku dhjetëra aktivistë për të drejtat e kafshëve hynë me forcë në një fermë që shumon qen për kërkime shkencore, duke marrë disa prej tyre dhe duke përfunduar më pas në përplasje me autoritetet, sipas “The Washington Post”.

Ngjarja ndodhi në “Ridglan Farms”, një fermë e njohur për shumimin e qenve të racës “beagle” që përdoren për kërkime bio-mjekësore.

Sipas autoriteteve lokale, rreth 50 deri në 60 aktivistë morën pjesë në aksion, duke hyrë në ambientet e fermës dhe duke nxjerrë jashtë disa qen.

Pas ndërhyrjes së forcave të rendit, një pjesë e aktivistëve u arrestuan, mes tyre edhe avokati për të drejtat e kafshëve, Wayne Hsiung, i cili më vonë u lirua.

Në një reagim publik, ai deklaroi se veprimi ishte i nevojshëm për të shpëtuar kafshët, duke akuzuar autoritetet se nuk kishin ndërhyrë pavarësisht shqetësimeve të vazhdueshme.

Sipas Zyrës së Sherifit të Qarkut Dane, të gjithë qentë që u morën gjatë aksionit – janë rikuperuar dhe nuk kanë pësuar lëndime.

Ferma “Ridglan Farms” ka qenë prej vitesh në qendër të kritikave dhe protestave nga organizatat për mbrojtjen e kafshëve, për shkak të kushteve të mbajtjes dhe trajtimit të tyre.

Çështja u përshkallëzua pas një hetimi në vitin 2025, i cili zbuloi disa shkelje serioze. Persona pa licensë veterinare kishin kryer ndërhyrje kirurgjikale në sytë e qenve pa përdorur anestezi.

Pas këtij skandali, kompania arriti një marrëveshje për të mbyllur aktivitetin e shumimit të qenve për shitje deri në korrik të vitit 2026.

Ngjarja e fundit pritet të nxisë më tej debatin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbi përdorimin e kafshëve për kërkime shkencore, si dhe mbi kufijtë e aktivizmit dhe ndërhyrjes civile në raste të tilla. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›