E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejtoret e shkollave Tafaj Do i nenshtrohen konkursit

Të gjithë drejtorët e shkollave nëntëvjecare dhe gjimnazeve do t’i nënshtrohen konkursit, i cili do të zhvillohet gjatë muajit nëntor. Sipas Ministrisë së Arsimit konkurset për drejtuesit e institucioneve arsimore do të bëhen për të shmangur abuzimet që bëhen në Tiranë dhe rrethe, në caktimin në krye të shkollave  të njerëzve jo të kualifikuar. 

Deklarata është bërë nga ministri i Arsimit Myqerem Tafaj, në komisionin parlamentar të edukimit, pas një akuze të ngritur nga deputeti socialist Alfred Dalipi. Ky i fundit u shpreh se në disa rrethe të vendit, në krye të arsimit po vihen njerëz që nuk kanë arsimin e duhur, por që plotësojnë kërkesat selektive të qeveritarëve.

"Emërimet e bëra në shkollat e mesme sot nuk i ngjasojnë as atyre të viteve '45 kur nuk kishte personel të kualifikuar. Konkretisht mësues me eksperiencë dhe profil biokimi janë zëvendësuar me veterinerë", tha Alfred Dalipi, deputet i Partisë Socialiste.

"Nuk mund të them që ne nuk kemi korrupsion në emërime, dhe vazhdojmë të monitorojmë të gjitha emërimet që bëhen në zyrat rajonale. Në muajin nëntor do të bëhen konkurset për emërimin e drejtorëve", u shpreh Myqerem Tafaj, ministër i Arsimit.

Kreu i arsimit u shpreh se reformat në arsim, janë të përqëndruara në përmirësimin e teksteve. Nuk mund të mohohet - tha Ministri Tafaj - që librat shkollorë kanë ende probleme.

"Unë mendoj se cilësia e teksteve është rritur po nuk mund të them se cilësia e teksteve është aty ku duhet të jetë. Problemi i librave të shkollave dhe teksteve të shkollave është një problem tashmë global", vijoi Tafaj.
    
Në komisionin parlamentar janë ngritur edhe cështje të tjera, përsa i përket arsimit të fëmijëve në zonat e thella malore, apo të rinjve që ndjekin arsimin e lartë , pas shkollës së  mesme. Minsitri i Arsimit tha se reformat janë në proces dhe sistemi është drejt ndryshimeve të vazhdueshme.

Edlira Sulejmani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›