E Enjte, 5 Nëntor 2026

Drejtori i AMF raporton në Komisionin e Ekonomisë: Tregu i sigurimeve rriti aftësinë paguese dhe provigjonet!

 
Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Ervin Mete prezantoi të martë, në mbledhjen online të Komisionit Parlamentar për Ekonominë dhe Financat, Raportin e veprimtarisë së Autoritetit për vitin 2020.   Mete bëri një pasqyrim të zhvillimeve kryesore përgjatë vitit të pazakontë 2020, të shënjuar nga efektet e pandemisë dhe ndikimi vazhdues i dëmeve të tërmeteve të fundvitit 2019, ndërkohë që përmendi disa nga masat e marra nga Autoriteti në funksion të garantimit të stabilitetit financiar.   Në fillim të fjalës së tij, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv theksoi se megjithëse ndikimet fillestare të pandemisë ishin të ndjeshme, tregjet nën mbikëqyrjen e Autoritetit u shfaqën rezistentë, ndërsa treguesit e 3-mujorit të parë të këtij viti sugjerojnë rikthimin e tyre në normalitet.   Sipas të dhënave paraprake, tregu i sigurimeve ka njohur rritje me 12.5% të të ardhurave për janar-marsin 2021, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa tregu i fondeve të investimit ka rritje me 2.4% të vlerës së aseteve neto për 3-mujorin e parë të vitit 2021, krahasuar me 3-mujorin e fundit të vitit të kaluar, – bëri me dije Mete.   Më tej, ai prezantoi disa nga masat kryesore të ndërmarra nga Autoriteti në funksion të ruajtjes së qëndrueshmërisë financiare të tregjeve dhe vijimësisë së veprimtarisë së subjekteve nën mbikëqyrje.   Vendimi i AMF për pezullimin e shpërndarjes së dividendit, si edhe plani i veprimit me sens rimëkëmbjeje për 2 shoqëri sigurimi ndikuan në përmirësimin e treguesve financiarë të shoqërive të sigurimit, aq më tepër në një vit të vështirë ku u shënua një rënie me 5.73% e të ardhurave nga primet.   Tregu i sigurimeve rriti kapitalet e veta me 1.85 miliardë lekë krahasuar me një vit më parë. Treguesi i aftësisë paguese për shoqëritë e sigurimit të Jo-Jetës ka pësuar një rritje të konsiderueshme, në masën 67%, nga 106% në vitin 2019 në 173% në vitin 2020. Tregu i sigurimeve ka shënuar përmirësime edhe në treguesin e aktiveve në mbulim të provigjoneve. Aktualisht, ky tregues për tregun e Jo-Jetës është në nivelin 131.6%, ndërsa për Jetën 130.2%.   Referuar trajtimit të dëmeve pas dy tërmeteve të fundvitit 2019, Mete u shpreh se vitin e kaluar u paguan rreth 3 miliardë lekë dëme, ndërsa janë mbyllur 90% e praktikave përmes pagesave të dëmshpërblimit.   Përgjithësisht shoqëritë e sigurimit kanë trajtuar me korrektësi dëmet nga tërmeti. Rezulton se vetëm 6 çështje janë ankimuar deri tani në gjykatë nga totali prej 6295 kërkesa për dëmshpërblim në lidhje me dy ngjarjet e tërmetit.   Mete deklaroi se me miratimin e ligjeve të reja për tregjet nën mbikëqyrje, Autoriteti mbetet i angazhuar për plotësimin e të gjithë kuadrit rregullator për t’i bërë ato plotësisht të zbatueshme. Ai përmendi gjithashtu disa nga drejtimet kryesore të veprimtarisë së Autoritetit gjatë këtij viti dhe në vazhdim, me fokus përmirësimin e praktikave mbikëqyrëse, përparimin drejt parimeve themelore ndërkombëtare në sigurime, thellimin e përdorimit të teknologjisë dhe modernizimin e sistemeve të raportimit, etj.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›