E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejtori i KE-së për zgjerimin në Tiranë: Keni plotësuar vetëm 1 nga 12 kushte

Share

Drejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit në Komisionin Europian, Stefano Sannino takon krerët e qeverisë e të shtetit: Jeni vonë me reformat

Tani që opozita po bashkëpunon në Kuvend dhe ligjet me 3/5 po kalojnë duket se qeveria nuk ka më një justifikim për Brukselin kur kërkesa e llogarisë për ecurinë e reformave shtohet. Stefano Sannino, Drejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit në Komisionin Europian, është në Tiranë ku po takohet me krerët e shtetit për të marrë dhe impresionet e ecurisë së reformave dhe për të përcjellë mesazhet e BE-së me këtë rast. Duket se ai ska qenë fort i kënaqur me ecurinë e deritanishme, edhe pse ka vlerësuar marrëveshjen mes dy partive, duke plotësuar kështu atë që BE e ka cilësuar kriterin politik. Por ky kriter është veçse njëri nga 12 kriteret që BE i ka vendos Shqipërisë pasi i refuzoi dy herë dhënien e statusit kandidat dhe këtë vit do të vihet në provë për herë të tretë. Reforma në drejtësi, gjyqësor, reforma parlamentare, etj, janë shumë kritere që Brukseli i konsideron të rëndësishme, gjë që e përsëriti dhe Sanino në Tiranë. Ai tha se shqetësimi i BE-së ka të bëjë me ecurinë e reformave duke theksuar se është akoma një rrugë e gjatë përpara, por është plotësisht e mundshme.

Sanino apeloi që të tëra partitë shqiptare të jenë të unifikuara në përpjekjet për plotësimin e axhendës europiane, kur tha se integrimi nuk është monopol i një force të vetme politike. “Në 2002 Romano Prodi hodhi idenë e zgjerimit të BE në Ballkanin Perëndimor, që atë kohë ishte një ide revolucionare. Kroacia është një vend që rrit perspektivën, po ashtu dhe Mali i Zi ka bërë hapa pozitivë. Jam i bindur se Shqipëria i ka të gjitha energjitë dhe forcat për të përshpejtuar procesin e integrimit, ndaj është e domosdoshme që forcat politike të tregojnë vullnet dhe vendosmëri për të përshpejtuar axhendën europiane. Së bashku ne do të mund të arrijmë rezultate pozitive në këtë drejtim, integrimi nuk është monopol i një pale, por u përket gjitha forcave politike dhe gjithë vendit. Nga ana jonë do të jetë një mbështetje dhe vullnet i fortë. Ndaj ju uroj punë të mbarë”,- tha Stefano Sannino.

Komentin Sanino e bëri në një konferencë të organizuar nga Parlamenti shqiptar, ndërsa më herët në takimin me ministrin e Jashtëm Edmond Haxhinasto ai kërkoi përshpejtim të reformave. Ndaj të njëjtin mendim me Ministrin Haxhinasto për nevojën e përshpejtimit të reformave. Kemi pasur një shkëmbim konstruktiv mendimesh për hapat e mëtejshëm që Shqipëria do të bëjë në axhendën e integrimit evropian. Kur isha këtu herën e fundit u arrit marrëveshja për rifillimin e plotë të jetës parlamentare, ngritjen e komisioneve apo grupeve të punës për reformën zgjedhore, për rishikimin e rregullores së parlamentit dhe kalimin e ligjeve me shumicë të cilësuar. Ndërkohë është arritur emërimi i Avokatit të Popullit në një proces shumë transparent dhe është zgjedhur një personalitet me një mbështetje të fortë nga të gjitha palët. Ne duhet të fokusohemi në këtë proces dhe të mbajmë lart ritmin e reformave në muajt e ardhshëm, pasi ky është një vit vendimtar për Shqipërinë dhe për institucionet e Bashkimit Evropian, që do të vendosin për angazhimet e saj në këtë kuadër. Ne ramë dakord që përpjekjet duhet të vazhdojnë në mënyrë të qëndrueshme, kemi diskutuar me Ministrin që ka nevojë për angazhimin e të gjitha forcave politike.  Theksojmë se perspektiva europiane është një arritje e të gjithë vendit, e të gjitha forcave politike dhe e kontributit të tyre, dhe jo vetëm një pale të caktuar. Sapo i përsërita z. Ministër nevojën e mbështetjes së këtij procesi nëpërmjet kontakteve me kolegët e vet, për t`u siguruar që iu është dhënë mesazhi i duhur institucioneve të Bashkimit Evropian, tha Sanino në konferencën për shtyp.

Takimi me Topin

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti dje Drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Stefano Sanino, të cilit i bëri një panoramë të situatës aktuale politike e institucionale në vend, duke u ndalur veçanërisht tek domosdoshmëria e bashkëpunimit dhe e dialogut konstruktiv mes forcave e aktorëve politikë për përmbushjen e kritereve dhe realizimin e të gjitha reformave të ndërmarra me synim integrimin zyrtar të vendit tonë në familjen evropiane. Kreu i shtetit, duke u përqendruar në tematika aktuale të realizimit të reformës zgjedhore, të rëndësisë së miratimit të Gjykatës Administrative, por dhe mbi ligje që kërkojnë një shumicë të cilësuar në Kuvend, vuri në dukje se forcimi i demokracisë dhe konsolidimi i shtetit të së drejtës arrihen vetëm nëpërmjet mirëfunksionimit të institucioneve të pavarura kushtetuese e të drejtësisë. Topi dhe Sanino, nënvizuan domosdoshmërinë e arritjes së rezultateve konkrete pozitive nëpërmjet gjetjes së rrugëve për bashkëpunim, mirëkuptim dhe vullnet politik të të gjithë aktorëve dhe faktorëve politikë, pasi vetëm në këtë mënyrë do të mund të realizohen projektet e së ardhmes evropiane të shqiptarëve. Zyrtari i lartë i Komisionit Evropian, Stefano Sanino i shprehu Kreut të Shtetit shqiptar vlerësimin në ushtrimin e mëtejshëm të rolit institucional e kushtetues si President i Republikës së Shqipërisë. Në kuadrin e perspektivës evropiane të vendit tonë, zoti Sanino vlerësoi dialogun e nisur me miratimin e disa ligjeve që kërkojnë tre të pesta, siç ishte edhe zgjedhja e Avokatit të Popullit, por nënvizoi domosdoshmërinë ruajtjes së ritmit të të reformave integruese duke plotësuar dymbëdhjetë kriteret e vendosura nga Bashkimi Evropian për të marrë statusin e vendit kandidat nga ana e Shqipërisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›