E Diel, 1 Nëntor 2026

Krimi nuk di të ndalur, tritol dhe plumba në Tiranë e Lezhë

Share

(E PERDITESUAR)- Një person është plagosur në Tiranë. Makina në të cilën ai udhëtonte si pasagjer është qëlluar nga një tjetër mjet. Policia bën të ditur se ka patur shkëmbim zjarri tek Pallatet e Aviacionit.

I plagosuri është qytetar i Bajram Curri-t dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ai quhet Avni Hajredini.

Atentati ndodhi karshi makinës me targaTR 6343 R ndërsa është qëlluar nga ana e shoferit.

Por ndërkohë krimi nuk di të ndalur në Shqipëri.

Alarm në Tiranë, gjendet tritol në një makinë

Kryeqyteti është vënë në alarm mbrëmjen e sotme. Vetëm pak minuta më parë policia ka bërë të ditur se dyshohet për një makinë të mbushur me eksploziv pranë shkollës 8-vjeçare në qendër të “Kombinatit”. Ndërkohë policia ka rrethuar zonën dhe po mban nën kontroll situatën. Në vendngjarje janë thirrur njësia anti-eksploziv për të verifikuar ngarkesën në makinë, ku janë gjetur 250 gr tritol. Eksplozivi, që u çaktivizua nga policia ishte një tentativë për një atentat të dytë ndaj aleksandër Gocajt, i cili i shpëtoi atentatit të parë 4 ditë më parë, ku humbi jetën në mënyrë tragjike stomatologia 25 vjeçare Megi Jakiçi.
Ministri i Brendshem Bujar Nishani konfirmoi në emisionin televiziv Opinion se atentati ishte për Gocajn.
Eksplozivi ishte vënë në makinën e një mikeshe të Aleksandër Gocajt, Adelina Gashi dhe sipas policisë, pritej që në makinë të hipte ai dhe të bëhej ekzekutimi. Ka qenë një rastësi që mikesha e Gocajt ka zbuluar eksplozivin, pasi ka çuar makinën te mekaniku.

Atentat në Lezhë hidhet në erë një BMW X5

Hidhet në erë një automjet në aksin Lezhë-Shkodër, pranë fshatit Balldre. Atentati ka shkaktuar vetëm dëme materiale. Persona të paidentifikuar kanë vendosur një sasi eksplozivi në njërën nga gomat e përparme të një mjeti tip BMW X5 me targa AA 707 BM i parkuar në anë të rrugës.

Shpërthimi i fuqishëm ka shkaktuar vetëm dëme materiale, pasi drejtuesi i mjetit me iniciale G.L nuk ndodhej në mjet në momentin e shpërthimit. Policia po heton për motivin dhe rrethanat e ngjarjes, mes të cilave ajo e ndonjë konflikti personal të drejtuesit të mjetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›