E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejtori i Policisë Bashkiake godet me grushta inspektoren e tatimeve (FOTO+VIDEO)

Florenc Hoxha

(E PERDITESUAR)- Drejtori i Policisë Bashkiake në Tiranë, Florenc Hoxha, ka dhunuar dy inspektoret e pushuara nga ana e Lulzim Bashës, Anila Çobani dhe Etleva Duro.

Denoncimi është bërë nga ana e ish-inspektoreve të Bashkisë së Tiranës, që bëjnë pjesë në listën e 51 inspektorëve të shkarkuar nga Basha. Mësohet se Florenc Hoxha e ka goditur Anila Çobanin me grusht në stomak. Më pas e ka tërhequr zvarrë atë, duke i lënë shenja në krah. Inspektorët e tjerë janë tronditur nga kjo skenë. Ata thonë se nuk ka mbërritur urdhri zyrtar për largimin nga puna të inspektoreve, ndaj ato kanë të drejtë të qëndrojnë në punë.

Por, Bashkia e Tiranës, me anë të një njoftimi për shtyp pretendon të kundërtën, duke thënë se dhunuesit kanë qenë pikërisht dy inspektoret e pushuara pak ditë më parë.

Drejtori i Policisë Bashkiake të Tiranës, dorëzoi sot një kallëzim penal ndaj dy inspektoreve të Tatim Taksave në Bashkinë e Tiranës, të lajmëruara për largim nga detyra, Anila Cobani dhe Etleva Duro. Policia Bashkiake i kallëzon dy punonjëset për sulm verbal dhe fizik, për kundërshtim në krye të detyrës, si dhe për kërcënim. Cobani dhe Duro prej ditësh dhunojnë institucionin e Drejtorisë së Taksave dhe Tatimeve në Bashkinë e Tiranës, duke mos lejuar funksionimin normal të kësaj zyre. Cobani dhe Duro, prej ditësh, fyejnë dhe kërcënojnë brenda zyrave të Tatim-Taksave, duke e bërë punën të pamundur. Në këtë situatë, Drejtori i Përgjithshëm i Tatim-Taksave në Bashkinë e Tiranës, ka kërkuar ndihmën e Policisë Bashkiake. Ambjentet e Tatim-Taksave të Bashkisë së Tiranës menaxhohen nga ana e sigurisë nga Policia Bashkiake. Policia Bashkiake duke kryer sot detyrën, u përball me një sulm të ashpër të Cobanit dhe Duros, të cilat ushtruan edhe dhunë. Pas kësaj, Policia Bashkiake bëri kallëzim penal ndaj tyre, thuhet në njoftimin e Bashkisë së Tiranës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›