SHBA: Fahri Balliu, pjesë e Gërdecit dhe presionit mbi drejtësinë

Kryeministri Sali Berisha, e shoqja dhe familja Balliu
Kabllogrami nga Tirana raporton mbi përfshirjen e një klani të ri të Familjes Berisha në Gërdec dhe për presionet politike të tij në mbylljen e çështjes së Bashës dhe Gërdecit
Në skandalin e Gërdecit zhytet edhe një tjetër njeri i rrethit të afërt të Berishës. Kështu thuhet në një kabllogram të shkruar nga zëvendësi i ambasadorit amerikan, Uidhers, që mban datën 17 prill 2009. Në të thuhet se Fahri Balliu është i përfshirë në skandalin e Gërdecit me një kompani në pronësi të vajzës së tij dhe Mihal Delijorgjit. Kabllogrami shton se edhe pse Ina Rama e kishte në dosje këtë fakt, Balliu nuk u hetua. Më poshtë kabllogrami i plotë.
Zbulimet e reja për skandalin e Gërdecit dhe pushimi i çështjes së rrugës Durrës- Kukës shtojnë presionin mbi Prokuroren e Përgjithshme
Përmbledhje: Një seri zbulimesh dhe vendimesh në javën që shkoi e kanë vendosur prokuroren Ina Rama në pozicione mbrojtëse dhe kanë nxitur kryeministrin Sali Berisha të shtojë retorikën kundër Ramës. Fillimisht media ka sjellë në vëmendje faktin se 15 nga 28 personat e akuzuar për skandalin e Gërdecit janë akoma në punë në pozicione qeverisëse, përfshi Komandantin e Forcës së Përbashkët, Agim Lala dhe Sekretarin e Përgjithshëm Adriatik Mema, që po studion në SHBA me fondet e Programit Ndërkombëtar për Ndihmë Ushtarake. Së dyti, zbulimet e fundit në lidhje me përfshirjen e një tjetër anëtari të rrethit të ngushtë të Berishës në Gërdec, kanë shtuar kriticizmin publik se përse Prokurorja e Përgjithshme nuk ka hetuar kompaninë respektove private. Së fundmi, vendimi i Gjykatës së Lartë për të pushuar akuzat ndaj Ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, është parë si një disfatë e madhe për Ramën.
Mungesa e largimeve: Mediat raportojnë se një barsoletë po qarkullon në Ministrinë e Mbrojtjes. Sipas saj, Prokurorja e Përgjithshme dërgon një kërkesë në Ministrinë e Mbrojtjes për asistencë me ekspertizë ushtarake në hetimin e Gërdecit. Kërkesa i dërgohet drejtorit të departamentit përkatës për këtë ekspertizë. Si për fat, drejtori, që është i akuzuar për këtë çështje, e gjen veten në pozita për të ofruar ekspertizë dhe këshilla për hetimin e tij. Përveçse kjo është shumë pranë të vërtetës, anekdota nxjerr në pah një problem që është ekspozuar edhe në media. Nga lista me 28 zyrtarë të akuzuar për skandalin e Gërdecit, 15 janë akoma të punësuar në shtet dhe vazhdojnë punën që kanë bërë. Edhe pse ligji shqiptar nuk e kërkon, prokurori ka të drejtë të kërkojë pezullimin e zyrtarit nga detyrat e tij derisa të jepet një vendim, çka nuk është bërë nga Prokuroria e Përgjithshme. Kritikët thonë madje se edhe pa një kërkesë të tillë, Ministria e Mbrojtjes duhej ti kishte shkarkuar zyrtarët e akuzuar.
Nga 15 zyrtarët aktivë, më i rëndësishmi është gjeneral brigade Agim Lala, komandant i Komandës së Forcës së Bashkuar. Lala e mori detyrën kur i bashkakuzuari Shpëtim Spahiu u shkarkua për shkak të implikimit të tij në Gërdec. Një tjetër shqetësim për ne është edhe Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Adriatik Mema, që aktualisht po studion në Akademinë Navale në SHBA. Studimet e tij sponsorizohen nga IMET.
Shumë pranë anekdotës është edhe Zenun Ferro, në listën e të akuzuarve, që aktualisht është caktuar në Stafin e Përgjithshëm të Divizionit të Forcave të Armatosura. Hetuesit e Prokurorisë së Përgjithshme kanë kërkuar dëshmitarë ekspertë nga zyra e tij. Nuk dihet nëse Ferro ka ofruar ndonjë këshillë.
As Prokurori i Përgjithshëm dhe as Ministria e Mbrojtjes nuk kanë bërë ndonjë koment për këtë çështje.
Një tjetër nga klani i Berishës zhytet brenda: Mediat gjithashtu kanë raportuar disa zbulime këtë javë se një kompani në pronësi të Mihal Delijorgjit (i akuzuar për skandalin e Gërdecit), dhe Henris Balliut (vajza e Fahri Balliut, anëtar i trupës drejtuese të Partisë Demokratike dhe këshilltar i afërt i kryeministrit Berisha) ka nisur në mënyrë ilegale ndërtimin e fabrikës së demontimit në Gërdec në prill të vitit 2007, muaj përpara se Këshilli i Ministrave të jepte aprovimin zyrtar për kompanitë private (përfshi Albademilin e Delijorgjit) për tu përfshirë në demontim.
Mendohet se në atë kohë, komandanti i Policisë Ushtarake, Astrit Jaupi, i dërgoi një letër shqetësimi për të informuar ish- Ministrin e Mbrojtjes, Mediu dhe ish- Komandantin e Shtabit të Përgjithshëm Luan Hoxha kur zbuloi se kompania e Delijorgjit Trans Digging Construction po shkatërronte godinat në ish- repartin e tankeve në Gërdec pa asnjë leje të shkruar nga Ministria e Mbrojtjes. Letra e tij nuk mori kurrë përgjigje apo ndonjë veprim.
Përveçse ofroi më shumë prova se Mediu e kishte favorizuar në mënyrë ilegale Delijorgjin në vendimet për demontimin, historia nxjerr në pah përfshirjen e një tjetër personi nga orbita e ngushtë e Berishës- Balliu. Kur u përhapën fjalët e para për lidhjet e Balliut me Delijorgjin, Balliu mbajti një konferencë për shtyp në fillim të prillit për të mbrojtur veten. Ai fillimisht pretendoi se nuk përzihet në punët e vajzës së tij (emri i vajzës së Balliut është përdorur në dokumentet me Delijorgjin), dhe më vonë deklaroi se vajza e tij ishte tërhequr nga kompania e Delijorgjit në vitin 2006, përpara aferës së Gërdecit. Megjithatë, media menjëherë ofroi prova se emri i vajzës së tij nuk ishte hequr nga dokumentet e zyrës së regjistrimit deri më 8 prill të këtij viti, ditën kur edhe shpërtheu lajmi për lidhjet e Balliut me Delijorgjin.
Pushimi i çështjes së Bashës: Në reagim të këtyre zbulimeve, disa kanë kritikuar Prokuroren e Përgjithshme se ka shmangur hetimet për rrethin e ngushtë të Berishës, duke theksuar se Prokurorja e Përgjithshme e dinte për implikimin e kompanisë TDC për më shumë se një vit, por nuk e kishte hetuar as atë dhe as Balliun. Përveç Balliut, kritikët theksojnë se hetimi nuk ka prekur praninë e baxhanakut të Berishës në Gërdec në kohën e shpërthimit e as fjalët se biri i Berishës ka lobuar tek Ministria e Mbrojtjes për Delijorgjin. Disa kritikë kanë ngritur pyetjen nëse Ina Rama është frikësuar nga qeveria ose ka arritur një marrëveshje me të.
Presioni publik ndaj Prokurores së Përgjithshme u rrit kur më 10 prill Gjykata e Lartë pushoi një çështje të PP kundër Ministrit të Jashtëm Lulzim Basha për abuzime me detyrën gjatë kohës kur ishte Ministër i Transporteve. Çështje u pushua për teknikalitete- gjykata vendosi se çështje e Prokurorisë së Përgjithshme ishte e pavlefshme për shkak se kishin skaduar afatet e hetimit. Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama lajmëroi menjëherë se hetuesit do të nisin një çështje të dytë kundër Bashës, duke u fokusuar në gjetjet inkriminuese të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
KOMENT
Kjo nuk ka qenë një javë e mirë për Prokuroren e Përgjithshme Ina Rama. Ndërsa ajo po mësohet, presioni politik nga qeveria, kritikat nga publiku- e madje edhe një thirrje për shkarkimin e saj- kanë qenë shqetësuese. Berisha e ka rritur si pasojë kriticizmin publik ndaj Ramës, duke e akuzuar atë për motivim politik dhe ka shpallur pafajësinë e Ministrit të Jashtëm Basha dhe të ish- Ministrit të Mbrojtjes, Mediu. Gjithë vëmendja do jetë e fokusuar në hapjen finale të gjyqit të Gërdecit më 4 maj, një nga më të mëdhenjtë në historinë e Shqipërisë.