Fatos Beja: Basha kandidati i duhur përballë Ramës

Për Bashën
I njëjti kandidat në një moment e humbet një garë, në një moment tjetër e fiton. Zgjedhjet janë si stinët: ndryshojnë. Unë nuk mendoj se kandidatët e mëparshëm janë "më të fortë". Basha ka mundësi reale të fitojë ndaj Ramës. Dhe në këtë rast më të fituarit do të ishin qytetarët e Tiranës, sepse Kryeministri dhe Kryetari i Bashkisë do të punonin së bashku për Tiranën.
Për KQZ-në
Është e pamoralshme që politika i bën presion KQZ-së dhe Kryetarit të saj, kushdo qoftë ai, që të mos zbatojë ligjin. Ristani është i detyruar të zbatojë tërësisht ligjin që i ka dhënë politika. Për këtë ai ka përgjegjësi ligjore. Politika le ta ndryshojë ligjin në parlament, dhe Ristani do të zbatojë detyrimisht atë ligj që do të miratojë parlamenti.
Për zgjedhjet
Është normale që të shohim një garë midis dy partive më të mëdha dhe aleatëve të tyre për bashkitë dhe komunat e Shqipërisë. Individët janë shumë të rëndësishëm: duhet të kuptoni që çdo parti dëshiron të garojë me një individ që mbledh vota, që e duan. Por, individi pa një grup mbështetës nuk realizon dot atë që premton. Gara është midis grupeve të përfaqësuar nga individë
Për fletët
Pasi mbyllen afatet ligjore të ankimimit administrativ e gjyqësor, fletët e votimit digjen. Nëse tani opozita mendon se në të ardhmen duhet hequr nga kodi djegia, mund ta kërkojë dhe mund të hiqet.
Por, fajin s'e ka ligji, por dëshira për të mos respektuar ligjin. Kjo është një vërejtje që gjendet në të gjitha raportet ndërkombëtare për Shqipërinë.
Deputeti i Partisë Demokratike komenton situatën politike dhe mundësinë e ngritjes së komisionit hetimor dhe kandidimin e Lulzim Bashës për Bashkinë e Tiranës: Basha ka mundësi reale të fitojë ndaj Ramës. Ai dhe Berisha do punonin së bashku për Tiranën
Një prej figurave të njohura të Partisë Demokratike, Fatos Beja e shikon ministrin e Brendshëm Lulzim Basha si kandidatin më të përshtatshëm në zgjedhjet e 8 Majit për Bashkinë e Tiranës. Për kryetarin e Komisionit për Politikën e Jashtme, Basha ka mundësi reale të fitojë ndaj Ramës.
Më të fituarit në një zgjedhje të tillë sipas tij do të ishin qytetarët e Tiranës, sepse kryeministri dhe kryetari do të bashkëpunonin për kryeqytetin. Gjithsesi deputeti demokrat shprehet se deri në këto momente nuk ka asgjë zyrtare nga kampi blu. Lidhur me zgjidhjen e krizës politike në një kohë kur dy forcat politike kanë rinisur dialogun, deputeti Fatos Beja thekson se situata është e ngjashme me atë të muajit shtator 2009, por vetëm me një ndryshim që sipas tij opozita sot nuk ka më fuqi për të bërë presion.
Mazhoranca dhe opozita kanë nisur që të diskutojnë për ngritjen e komisionit hetimor për hetimin e zgjedhjeve pa fletët e votimit. Edhe herë të tjera PS dhe PD janë dukur sikur ishin gati të arrinin një kompromis, por kanë dështuar.
A mendoni se këtë herë "e kanë seriozisht"?
Uroj që të mos humbet më kohë për të ngritur Komisionin Hetimor për Zgjedhjet. Me Kushtetutën shqiptare, 35 deputetë e ngrënë një komision hetimor brenda një jave, për këtë dhe shumica parlamentare nuk e ndalon dot, edhe po të mos ta dëshirojë. Por, kjo bëhet në parlament dhe në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet ekzistuese.
Po të ndiqte këtë rrugë kushtetuese e ligjore opozita e kishte ngritur Komisionin në shtator 2009, me dëshirën dhe pjesëmarrjen ose jo të mazhorancës, dhe raporti i komisionit do të mund të miratohej në Kuvend në dhjetor 2009.
Për fat të mirë, mazhoranca pranoi ta ngre një komision hetimor për të hetuar zgjedhjet e kaluara e realizuar rekomandimet e OSBE-së, madje duke i premtuar publikisht opozitës përparësinë në hetim dhe në ndryshimet e kodit elektoral. Për fat të keq, opozita nuk ndoqi këtë rrugë kushtetuese e ligjore, që i siguronte arritjen e objektivit të deklaruar.
Ajo hartoi një projekt për ngritjen e komisionit në shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve ekzistuese, dhe për një vit e gjysmë u përpoq ta negociojë atë politikisht në tryeza partiake e jashtë parlamentit, duke rritur maksimalisht presionin politik me aksione ekstreme si bojkoti i parlamentit, protestat, grevat, "ngërçin politik" pengues për qeverinë në arenën ndërkombëtare, etj.
Sot, situata është një lloj si në shtator 2009: një projekt për ngritjen e komisionit në bazë të kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, me emrat e anëtarëve të tij, kalon brenda një jave në Kuvend. Ka vetëm një ndryshim nga shtatori 2009: opozita sot nuk ka më fuqi për të bërë presion.
Kreu i KQZ-së Arben Ristani ka deklaruar se në ditët në vijim do të ketë një vendimmarrje të këtij institucioni për djegien e fletëve të votimit pasi marrëveshjet politike nuk mund të dalin mbi ligjin.
Ju keni një eksperiencë të gjatë në parlamentarizmin shqiptar. Si e shihni zgjidhjen nga ana procedurale?
Është e pamoralshme që politika i bën presion KQZ-së dhe Kryetarit të saj, kushdo qoftë ai, që të mos zbatojë ligjin. Ristani është i detyruar të zbatojë tërësisht ligjin që i ka dhënë politika. Për këtë ai ka përgjegjësi ligjore. Politika le ta ndryshojë ligjin në parlament, dhe Ristani do të zbatojë detyrimisht atë ligj që do të miratojë parlamenti.
Përse është kaq e domosdoshme djegia e fletëve? Vetë KQZ është shprehur se kutitë janë dëmtuar dhe nuk mund të përdoren në zgjedhjet e ardhshme. Atëherë pse ky ngut për djegien?
Djegien e fletëve e kërkuan përfaqësuesit e të gjitha partive që hartuan Kodin Elektoral, pra që e futën në ligj. Në fakt, kështu bëhet edhe në vendet e tjera. Kutitë që kërkohet të hapen në afatin dhe kushtet ligjore, hapen. Kështu ndodhi dhe në Shqipëri. Pasi mbyllen afatet ligjore të ankimimit administrativ e gjyqësor, fletët e votimit digjen.
Nëse tani opozita mendon se në të ardhmen duhet hequr nga kodi djegia, mund ta kërkojë dhe mund të hiqet. Por, fajin s'e ka ligji, por dëshira për të mos respektuar ligjin. Kjo është një vërejtje që gjendet në të gjitha raportet ndërkombëtare për Shqipërinë.
Opozita e ka kushtëzuar reformën zgjedhore me transparencën e zgjedhjeve parlamentare të vitit të kaluar.
Edhe sa kohë duhet që të mos kemi një reforme si në vitet e kaluara të momentit të fundit?
Koha është humbur. Ju thashë reforma mund të ishte bërë në dhjetor 2009. Por, mund të mos humbet më. Dy kryetarët e grupeve parlamentare mund të takohen të hënën dhe të enjten të miratohet Komisioni: mjafton që palët të respektojnë kërkesat kushtetuese e ligjore.
Reformës zgjedhore tashmë i ka kaluar koha pasi duhet të ishte prezantuar gjashtë muaj para datës së zgjedhjeve.
Në këndvështrimin tuaj çfarë do ndodhë me zgjedhjet e 8 majit? (Do zhvillohen me kodin e vjetër, do shtyhen; do ndryshohet kodi dhe kushtetuta?
Po të mos humbet më kohë, me përpjekje mund të realizohen detyrimet ligjore. Duhet të kuptojmë që ndryshimet eventuale janë të pjesshme dhe nuk do t'i prekin shumicën e neneve. Por, in extremis, kodi ynë është modern dhe ashtu siç është lejon të kemi zgjedhje të lira e të ndershme.
PD ende nuk ka mbledhur strukturat e saj drejtuese siç është kryesia. Kur do të mblidhen?
Duhet të mblidhet Këshilli Kombëtar që të zgjedhë Kryesinë. Nuk e di kur do të mblidhet.
Ju si PD duket se keni zgjedhur Lulzim Bashën të kandidojë për bashkinë e Tiranës, madje keni nisur edhe sondazhet për popullaritetin e tij.
Si ju duket kandidati Basha?
E kam lexuar në media. Nuk ka asnjë vendim zyrtar të PD-së.
Sa mundësi reale ka ai të fitojë kundër Edi Ramës duke pasur parasysh dështimet e kandidatëve më të fortë dhe me më shumë mbështetje në PD se sa Basha.
Po flas këtu për Besnik Mustafain, Spartak Ngjelën dhe Sokol Olldashin?
Së pari, i njëjti kandidat në një moment e humbet një garë, në një moment tjetër e fiton. Zgjedhjet janë si stinët: ndryshojnë. Së dyti, nuk mendoj se kandidatët e mëparshëm janë "më të fortë". Basha ka mundësi reale të fitojë ndaj Ramës. Dhe në këtë rast më të fituarit do të ishin qytetarët e Tiranës, sepse Kryeministri dhe Kryetari i Bashkisë do të punonin së bashku për Tiranën.
Zgjedhjet vendore po kthehen në një garë mes PS-së dhe PD-së në një kohë kur duhet të jetë një garë mes dy kandidatëve, individëve që do qeverisin atë zonë për katër vitet e ardhshme.
Si ju duket ky fenomen?
Mos vallë partitë e mëdha po eklipsojnë individin dhe po i kthejnë zgjedhjet vendore në një garë kush do "e ngjyrosë" më shumë hartën?
Sa për ngjyrën, është e sigurt se harta e Shqipërisë do t'i ketë të dy ngjyrat edhe pas 8 majit, pra nuk është çështje ngjyre.
Është normale që të shohim një garë midis dy partive më të mëdha dhe aleatëve të tyre për bashkitë dhe komunat e Shqipërisë. Individët janë shumë të rëndësishëm: duhet të kuptoni që çdo parti dëshiron të garojë me një individ që mbledh vota, që e duan.
Por, individi pa një grup mbështetës nuk realizon dot atë që premton. Gara është midis grupeve të përfaqësuar nga individë, të cilët zgjidhen si kryetarë dhe anëtarë të këshillave të bashkive e komunave. Qeverisja e mirë është rezultat i harmonizimit të të dy elementeve.