E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejtoria e Burgjeve e cilësoi urdhrin si sekret shtetëror, Fatmir Xhafaj dhe Bledi Çuçi kërkesë ministrit të Drejtësisë: Na vini në dispozicion dokumentacionin! Pse u transferua me urgjencë Veliaj?

Fatmir Xhafaj dhe Bledi Çuçi, të cilët drejtojnë dy komisione parlamentare, i janë drejtuar me një shkresë zyrtare ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, ku kërkojnë sqarime për transferimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj nga paraburgimi i Durrësit në atë të Fierit.

1234

Kërkesa është depozituar në Kryesinë e Kuvendit paraditen e sotme dhe i është përcjellë ministrisë së Drejtësisë, sipas Top Channel.

Xhafaj dhe Çuçi kërkojnë të dinë nëse Drejtoria e Burgjeve kishte vënë në dijeni ministrinë e Drejtësisë për urdhrin e transferimit të Veliajt, të cilësuar prej tyre si dokument “sekret shtetëror”. Po ashtu, kërkojnë t’u vihet në dispozicion dokumentacioni i këtij procesi.

Xhafaj drejton Komisionin Parlamentar për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, ndërsa Çuçi drejton Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes.

Kujtojmë që ditën e sotme, gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PS-së, Bledi Çuçi i kërkoi llogari ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, për dokumentacionin që lidhet me transferimin e Erion Veliajt.

Më herët, në një reagim, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve theksoi se transferimi është kryer sipas procedurave standarteve dhe se urdhri është pjesë e dokumenteve të klasifikuara si “sekret shtetëror”.

Veliaj u transferua në Fier një ditë më parë, ndërsa e cilësoi lëvizjen si “rrëmbim policor”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›