Drejtuesit e ARMO-s:Të hapur për bashkëpunim
Përfshirja në debatet e fundit e kompanisë ARMO, e cila përfaqëson industrinë e vetme të përpunimit të naftës në vend, në vorbullën e së cilës fatkeqësisht është përfshirë dhe Autoritetit i Konkurrencës, për drejtuesit e kompanisë nuk është gjë tjetër veçse një "përpjekje e dështuar për shkatërrimin përfundimtar të kësaj industrie, e cila përbën nga të paktat pasuri kombëtare të mbetura". Në reagimin e djeshëm për shtyp, kompania ARMO ka sqaruar pozicionin e saj rreth vendimit të qeverisë për të bllokuar naftën D2 nga importi dhe tregtimi. Sipas drejtuesve të kompanisë, industria e ARMO-s me teknologji të viteve ‘50 që nga krijimi i saj është shfrytëzuar maksimalisht dhe pa asnjë strategji për zhvillimin në standarde të bashkëkohore për shkak të kostos mjaft të lartë. "Në kushtet, kur kjo industri ishte drejt një procesi degradimi, shkatërrimi i së cilës nuk do të prekte jo vetëm 1500 punonjësit e saj dhe bizneset e lidhura me të, por edhe drejtpërdrejtë dhe industrinë e nxjerrjes së naftës me rreth 5000 punonjës, e cila është e lidhur ngushtë jo vetëm nga sistemi i ciklit të mbyllur, për shkak jo vetëm të infrastrukturës ekzistuese por dhe për cilësinë e saj të dobët, procesi i privatizimit mund të konsiderohet në mënyrë të padiskutueshme kamerdare shpëtimi për ekzistencën e ARMO-s", thanë drejtuesit e kompanisë. ARMO deklaron me përgjegjësi se është e hapur dhe bashkëpunuese më të gjithë subjektet tregtare të karburanteve pa kryer asnjë diferencim duke shmangur çdo insinuatë për krijimin e bizneseve preferenciale pra dhe të një situate monopol.