E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shamku: Mësuesia, profesioni në braktisje

Në këtë vend askush nuk dëshiron më të bëhet mësues! Kjo forcë shkatërrimtare qeverisëse e vrau këtë profesion, vrau dëshirën e të rinjve dhe të rejave shqiptare për t‘u bërë edukatorë brezash", tha dje Ledi Shamku, kryetare e Komisionit për Edukimin në PSSH. Sipas saj, pasi arsimtarët u ndien të tallur e të mashtruar gjithë këto vite, me premtime për dyfishime pagash apo për status të veçantë, pasi u përbuzën e u përdorën si vegla pa vlerë në ca eksperimente të dështuara, sot të rinjtë tanë mund të zgjedhin të bëhen shoferë apo tregtarë, por jo mësues! Sot ky profesion në braktisje është në krizën e vet më të thellë, të panjohur kurrë më parë. "A mund të imagjinohet që qytete të rëndësishme të Shqipërisë të dorëzohen para kësaj mungese absurde? A ka sesi të pranohet që një qytet kyç i jugut tonë, siç është Tepelena, sot të mos ketë më mësues matematike për shkollat e mesme dhe për këtë lëndë kaq themelore të udhëtojnë disa herë në javë mësues nga qytetet pranë?!", ka pyetur në mënyrë retorike Shamku. Ajo ka shtuar se "për ne shkolla është mësuesi, nuk janë tullat, as bankat e as dokrrat mbi kompjuterët e moshës së internetit, ato janë aksesorë të shkollës. Rivendosja e dinjitetit dhe autoritetit të arsimtarit në shkollë dhe krejt shoqërinë është komponent i sfidës sonë në fushën e edukimit. Dhe ky dinjitet do të thotë kualifikim, shpërblim dhe status. Ata fëmijë që sot, për faj të kësaj kaste rrënuese, kanë reshtur së luajturi shkollash, nesër do të zgjedhin sërish të kenë pasionin dhe nderin për t‘u bërë mësues".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›