Reshje shiu dhe dëbore deri në fund të javës
Vendet e Evropës Juglindore përfshirë këtu edhe Shqipërinë, deri të dielën do të kenë të njëjtën situatë moti me reshje shiu e bore, në vendet malore dhe temperatura të ulëta. Sinoptikania e shërbimit meteorologjik "Meteoalb", Tanja Porja, thekson se ngjarjet atmosferike të ndodhura këto ditë sidomos në vendin fqinj, Itali, nuk janë ndikuar nga klima e gadishullit Apenin, por kanë si shkak masat ajrore të ftohta të mbërritura nga veriu i Evropës. Edhe pse më pak e ndikuar nga aktiviteti atmosferik i këtyre ditëve, vendi ynë do të përfshihet deri të dielën nga një mot i paqëndrueshëm me luhatje drastike të temperaturave dhe reshje të dobëta dëbore në vendet malore. Për sinoptikanët, temperaturat e ditëve të fundit, janë normale për muajin janar pasi në klimën shqiptare, ky është dhe muaji më i ftohtë i vitit.