E Diel, 1 Nëntor 2026

Drenica, ‘alergjike’ ndaj fitores

Drenica po tregohet ‘alergjike’ ndaj fitores. Skuadra kuqezi nuk e di se çka është trepikëshi që nga xhiroja e parë e kampionatit, duke ‘agjëruar’ plot 12 xhiro. Trajneri Tahir Lushtaku ndihet i brengosur për gjendjen aktuale të ekipit dhe i ka akuzuar disa prej lojtarëve, sidomos të repartit të mbrojtjes, për joseriozitet dhe papërgjegjësi. Mirëpo, trajneri drenicas beson se me mobilizim të të gjithëve, Kuqezinjtë do të këndellen.

Drenica nuk po arrin assesi ta gjejë fitoren. Kuqezinjtë nuk e kanë shijuar fitoren që nga xhiroja e parë, që 12 javë. Ata ishin shumë afër ta bënin një gjë të tillë fundjavën që shkoi, kur ishin në avantazh ndaj Ferronikelit me rezultat 2:0, por në fund u desh të kënaqeshin me një barazim, të tetin këtë sezon, me më së shumti në Superligë.

Trajneri Tahir Lushtaku ndihet i brengosur me mungesën e fitoreve, të cilën e arsyeton me joseriozitet të disa lojtarëve të mbrojtjes dhe jo konkretizim të rasteve që arrijnë në fazën e sulmit.

“Nuk e di çfarë të them, po na mungojnë fitoret ndoshta për faktin se ekziston një lloj joserioziteti tek disa prej lojtarëve, të cilët po tregohen të papërgjegjshëm. Ne po pësojmë gola shumë lehtë dhe nuk po dimë ta ruajmë avantazhin. Kjo ndodhi me Ferronikelin në fundjavë, por edhe me Lirinë e Vëllaznimin më herët”, theksoi trajneri drenicas.

“Ne po bëjmë lojë të mirë dhe ofanzive, duke krijuar raste të shumta, por po shënojmë shumë pak. Nuk po jemi në gjendje ta ruajmë rezultatin. Është diçka e pabesueshme se çka po ndodh me Drenicën”, vazhdoi ai.

Mungesa e fitoreve i ka dërguar Kuqezinjtë në pozitën e parafundit dhe nëse vazhdojnë me këtë ritëm, do ta kenë vështirë ta sigurojnë ekzistencën. Ky fakt e brengos edhe trajnerin drenicas.

“Çdo trajner e brengos kjo pozitë. Jemi në gjendje jashtëzakonisht të vështirë. Jam optimist se nëse mobilizohemi të gjithë, me të vërtetë mund të dalim nga kjo situatë. Por, nëse mungon vullneti, atëherë do ta kemi shumë të vështirë. Unë jam i gatshëm të ndihmoj në çdo mënyrë, qoftë moralisht apo financiarisht, vetëm për të dalë nga kjo situatë”, përfundoi Lushtaku i cili është i gatshëm edhe të largohet nëse është e nevojshme, vetëm për të mirën e ekipit.

Pas 13 xhirosh të zhvilluara këtë edicion, Drenica gjendet në pozitën e parafundit në tabelë, duke grumbulluar 11 pikë, sa ka edhe e fundit Llamkos Kosova, prej tyre 1 fitore, 8 barazime dhe 4 humbje. Xhiron e ardhshme, drenicasit do të luajnë pikërisht me ekipin vushtrrias në udhëtim.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›