E Shtunë, 31 Tetor 2026

I pakënaqur me M’gladbachin

Granit Xhaka është lodhur me rolin e rezervistit. Mesfushori kosovar dëshiron të flasë me trajnerin Lucien Favre për të kërkuar shpjegime, pasi konsideron se e meriton të luajë në formacionin bazë. Ndërkohë, në opsion mbetet edhe pista Lazio, të cilën e vlerëson 20 vjeçari.

Granit Xhaka e ka humbur vendin e titullarit në Borussia Monchengladbach. Futbollisti kosovar e ka ndërmend të flasë me trajnerin Lucien Favre për të kërkuar shpjegim. 19 vjeçari nuk ka luajtur asnjë minutë në barazimin 1:1 ndaj Freiburgut. Edhe pse kushtoi 8,5 milionë euro nga Baseli, ai nuk konsiderohet i rëndësishëm për ekipin nga Bundesliga.

“Çdo ditë ia demonstroj trajnerit se unë e meritoj të jem në fushë, e jo në bankinë. Në Zvicër kam bërë lojë të mirë. e kam demonstruar tashmë me 20 vjetët që kam se jam lojtar i rregullt i përfaqësueses”, ka thënë Xhaka për ueb faqen fussballtransfers.com.

Sigurisht Xhaka nuk është i kënaqur me rolin e rezervistit. Ngase, ai mund të luajë në formacionin bazë të ekipeve tjera. Njëra prej tyre është Lazio, e cila së fundmi ka shfaqur interesim për të. As prishtinasi nuk e mohon një transferim të mundshëm në Serie A.

“Është një nder për mua, por nuk dua të flas më shumë. Unë e di se çka jam i aftë të bëj. Jam lojtar skuadre dhe të gjithë më njohin në Gladbach”, vijoi ai.

Gjatë ditëve të ardhshme, djaloshi i ri e ka ndërmend të flasë me trajnerin Favre. “Unë do t’i kërkoj se si do të jetë e ardhmja ime. Nëse më thotë se gjërat nuk shkojnë mirë, më duhet të mendoj për të ardhmen”, vazhdoi Xhaka i cili thotë se momentet e vështira si ky e bëjnë më të fortë.

Xhiron e ardhshme, Gladbachu do të luajë me Greuther Furthin. Ka mundësi që edhe në këtë përballje Xhaka të jetë rezervist. Sigurisht, ai do ta presë afatin kalimtar të janarit për ta shqyrtuar mundësinë e transferimit në Lazio.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›