Drenica e Kosova(V) kërkojnë të dalin nga kriza

Drenica dhe Llamkos Kosova po kalojnë nëpër momente aspak të këndshme. Kuqezinjtë nuk dinë për fitore që nga xhiroja e parë, kur e kishin mposhtur Hajvalinë, duke pësuar tri humbje dhe regjistruar tri barazime.
Ndërkaq vushtrriasit, pas një nisme të mbarë në dy xhirot e para, ku patën një fitore dhe një barazim, në pesë xhirot e fundit kanë ‘agjëruar’, duke pësuar tri humbje dhe barazuar dy të tjera.
Trajneri i drenicasve, Tahir Lushtaku e pranon se ekipi i tij gjendet në një krizë të rezultateve, por jo edhe të lojës. Ai insiston se kuqezinjve po u mungon edhe fati, pasi që lëshuan pikë në disa ndeshje, edhe pse merituan më shumë.
“Nuk mund të themi që nuk kemi krizë të rezultateve, por jo edhe të lojës. Jemi në një situatë kur disa lojtarë nuk janë në formën më të mirë. Mbi të gjitha, Berat Hyseni, të cilit po i mungojnë golat. Tërë ekipit po na i mungon fati. Kjo u pa me Vëllaznimin, kur pësuam gol në fund, por edhe me Trepçën, ku e humbëm penalltinë, ndërsa me Lirinë nuk na u dha një penallti”, u shpreh ai.
Sido që të jetë, Lushtaku beson se ekipi i tij do ta shijojë fitoren e shumëpritur qysh në xhiron e ardhshme, në ballafaqim me Dritën. “Të gjithë jemi fajtorë për momentin negativ të ekipit, lojtarët nuk e kanë dhënë as minimumin. Por, Kryesia i ka bërë të gjitha përpjekjet, jemi mobilizuar dhe besoj se do t’u kthehemi fitoreve dhe ta gjejmë stabilitetin”, vazhdoi ai.
Në pozitë aspak më të mirë gjendet edhe njëri prej ekipeve më të organizuara gjatë verës, Kosova (V). Si rezultat i kësaj, bardhekaltrit e ndërruan trajnerin, duke ia besuar Luan Prekazit pozitën e Besnik Kollarit.
Por, ky ndryshim nuk ‘dhezi’ në lojën e parë, kur ata pësuan humbje të thellë nga Hysi. Trajneri mitrovicas megjithatë nuk brengoset shumë. Ai është i bindur se vushtrriasit do t’u kthehen rezultateve pozitive.
“Unë e kam pranuar këtë post, sepse besoja në këtë ekip. Por, unë nuk e kam shkopin magjik, që t’i ndryshoj gjërat brenda ditës. Me punë dhe me angazhimin e të gjithëve, besoj se kjo krizë nëpër të cilën po kalojmë, do të jetë jetëshkurtër. Do t’i qasemi punës më tepër dhe shoh ditë më të mira për ekipin tim”, theksoi trajneri i njohur kosovar, që beson se përforcimet eventuale të dimrit mund t’ia ndërrojnë pamjen Llamkos Kosovës në pranverë. Prekazi është duke punuar fort me ekipin e tij të ri dhe synon që ta shijojë fitoren e parë të tij në xhiron e ardhshme, në përballje me Hajvalinë.