E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dueli i dominuesve

Juventus, ekip i pamposhtur pas 45 ndeshjesh në Serie A, takohet me Shakhtar Donetskun, kundërshtar që nuk di për humbje në 25 duele në të gjitha garat. Kampioni i Italisë përkatësisht i Ukrainës përballen në kuadër të Grupit E të xhiros së dytë të fazës së grupeve në Ligën e Kampionëve. Në duelet e tjera, gjigantët si Chelsea, Bayern Munich, Barcelona dhe Manchester United luajnë të gjithë si mysafirë.

Dy prej skuadrave më dominuese në Evropë përballen mes veti të martën mbrëma në kuadër të xhiros së dytë të fazës së grupeve në Ligën e Kampionëve. Juventus, i pamposhtur pas 45 ndeshjesh në Serie A, pret Shakhtar Donetskun që nuk di për humbje në 25 takimet e fundit në të gjitha garat.

Të dyja skuadrat janë kampionë në fuqi dhe aktualisht liderë në ligat përkatëse. Bianconerët mposhtën Romën 4-1 të shtunën dhe u ngjitën në kuotën e 16 pikëve nga gjashtë ndeshjet e para.

Skuadra nuk ka humbur nga dueli kundër Parmës më 15 maj 2011, në xhiron e parafundit të sezonit 2010/11/ Shakhtar, që fitoi ligën e Ukrainës dhe Kupën në edicionin e kaluar, ka fituar 10 duelet e para të këtij sezoni, ndeshjen e Superkupës së Ukrainës, takimin e parë të Kupës dhe ballafaqimin e xhiros së parë në Ligën e Kampionëve kundër Nordsjaellandi.

Në ndeshjen tjetër të Grupit E, kampioni në fuqi Chelsea është mysafir i Nordsjaellandit. Skuadra e Roberto di Matteos barazoi 2-2 në duelin e parë me Juventusin në Stamford Bridge dhe do të synojë të kthehet në shtëpi me pikë të plota nga Danimarka kundër skuadrës debutuese.

“Motivimi i skuadrave të tjera do të jetë shumë i madh në çdo takim me ne, sepse jemi kampionë në fuqi. Andaj, duhet të kemi kujdes”, deklaroi Di Matteo. Në Grupin F, Bayern Munich dhe supertalenti kosovar, Xherdan Shaqiri paraqiten në udhëtim te BATE Borisov. Ky do të jetë ballafaqimi i skuadrave lidere nga ky grup.

Kurse, Valencia pret Lillen. Barcelona dhe Lionel Messi do të luajnë si mysafir të Benficës, ndërsa Spartak Moska pret Celticun në kuadër të Grupit G. Gjiganti katalan fitoi duelin e parë me Spartakun 3-2, duke përmbysur disavantazhin 1-2. Kurse, tani e pret një udhëtim i vështirë te Benfica e rrezikshme. Në Grupin H, Manchester United është mysafir i Clujit. Kurse, Galatasaray pret Bragën.

Grupi E

Nordsjaelland-Chelsea 20:45

Juventus-Shakhtar 20:45

Grupi F

BATE-Bayern M 20:45

Valencia-Lille 20:45

Grupi G

Spartak-Celtic 18:00

Benfica-Barcelona 20:45

Grupi H

Cluj-Man Utd 20:45

Galatasaray-Braga 20:45

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›