Dreri dhe nostalgjia për natyrën
Piktura më e fundit e Orion Shimës është shprehje e lirë, e ndjeshme dhe e thellë e një interpretimi melankolik dhe nostalgjik të natyrës, që duket se buron nga kujtime, përjetime dhe ëndërrime të adoleshencës, por që në të njëjtën kohë mund të shihet metaforikisht si një përsiatje e stërhollë mbi natyrën e vetë pikturës si gjuhë e pazëvendësueshme në ngjizjen e vegimeve vetjake mirëfilli poetike që kanë vlerë universale. Piktura e tij është në gjendje të ruajë atë tension estetik të vyer e të brishtë, që lind nga një paraqitje e mbajtur pezull mes botës imagjinare dhe asaj reale, e kredhur në një përmasë hapësirë-kohë që shfaqet tanimë e largët prej realitetit gjithë ngërçe të shoqërisë bashkëkohore.
Shima është i magjepsur nga bukuria intime e nënpyjeve, nga ujërat e lumenjve dhe përrenjve që gjarpërojnë mes bimësisë dhe shkëmbinjve.Vështrimi i tij është gjithmonë nga afër dhe rrallë duket në sfond ndonjë copë qiell.
Mbizotëron kryesisht një gamë ngjyrash që shkon nga bluja te grija e më pas tek e bardha, me tonalitete delikate dhe ndriçime të buta, që krijojnë një atmosferë të heshtur tëhuajsimi. Dhe kjo sidomos në peizazhet dimërore, ato në të cilat piktori ia del të përcjellë me fuqi më të madhe qëndrimin e tij të veçantë ndjenjësor dhe magjepsjen e mistershme të jetës së kafshëve të egra.
Janë peizazhe të pikturuara me një teknikë të zhdërvjellët dhe thelbësore, me hedhje e prekje ngjyrash, që në freskinë dhe drejtpërdrejtësinë e tyre të skajshme kapin thelbin vibrues dhe jetësor të tokës, të degëve dhe të borës së dëlirë, pa ngelur peng i detajeve të tepërta realiste.
Në hapësirat e kësaj natyre të bardhë e të papërlyer shfaqet si protagonist i vetëm dreri, më e bukura dhe më e hijshmja ndër krijesat e pyjeve tona. Dreri, kafsha simbol i fuqisë dhe i lirisë aq i dashur për perëndeshën Artemis, shfaqet këtu si emblemë e natyrës së kërcënuar nga njeriu. Në dallim nga Orioni i mitit, që mbahej si më i miri dhe më i pamëshirshmi i gjahtarëve e që u vra nga Artemisi duke u shndërruar në yjësi, Orion Shima me penelin si armë rreshtohet me vendosmëri në mbrojtje të natyrës.
Artisti ia del të ngulisë në letër ose në telajo ndjesinë e mrekullueshme të shfaqjes së beftë mes bimëve të një kafshe si dreri që, po të na vërë re, zhduket në çast. Dhe na përcjell, për fat të keq, edhe pikëllimin e vegimit të një dreri që dergjet i vdekur në dëborë.
Ndoshta më pak të përmallshme në kuptimin lirik, por po aq të bukura e mbresëlënëse janë pamjet më të gjalla për nga ngjyrat të të njëjtave vende në stinë të tjera. Këtu shohim përsëri ndonjë dre, por në skenë hyn, gjithmonë si protagonist i vetëm, edhe një figurë tjetër.
Është një djalë i ulur buzë rrjedhës së ujit, tërësisht i përpirë nga magjia e natyrës në të cilën është kredhur; ose në çastin që heq a vesh një kostum banjoje. Gjithsesi pamja më kuptimplote është ajo e djalit të ulur që po vizaton. Është pa dyshim njëfarë autoportreti i piktorit në të ritë e tij, një kujtim i përvojave të tij të para krijuese që kanë qenë në themel të prirjes së vet krijuese. Por mund të jetë edhe vizioni ideal i artistit në përgjithësi, i cili për të mbajtur gjallë damarin e tij krijues duhet të mbetet gjithmonë brenda vetes pak fëmijë.
Janë ekspozuar edhe disa punime të ndryshme, që karakterizohen nga tone gri dhe dritë e trishtë, ku shfaqen kafshë si një struc ose një dhelpër të mbyllur në kafaz: kafshë të cilave u është hequr liria dhe që ndodhen larg habitatit të tyre natyror.
Ndërsa në fund vjen një pikturë enigmatike, në të cilën gjithnjë zotëron grija, ku shihet relikti i një varke të madhe buzë ujit. Ndoshta edhe kjo vepër është, si me thënë, një ftesë për të medituar mbi kuptimin e tanishëm dhe të ardhshëm të ekzistimit tonë në lidhje me realitetin që na rrethon.
Intervista me Orion Shimën.
Mbi ngjyrën dhe teknikën e Kundërpeizazhit
Elsa Demo
Ekspozitën e pikturës Kundërpeizazh e hapur dje në Galerinë Kombëtare të Arteve, Orion Shima e ka projektuar së paku prej një viti. Fabula e saj është natyra e krijuar sipas artistit, edhe atje kur dorëzohen gjurmët e zbehta të një natyre realiste. Tablotë monokrome me dre që – është një lloj fantazme, thotë ai, një lloj afeksioni personal i imi me këtë kafshë, – zënë zemrën e hapësirës ekspozuese, Shima i shfaqi për herë të parë në Edicionin e 54 të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia 2011 ku ai ishte një nga pesë artistët bashkëkohorë përfaqësues të Pavijonit Shqiptar.
Me atë rast artisti pohonte gjithë imazhet e tij e marrin spunton nga natyra që nuk ngre pyetje specifike por që vijnë si memorie ëndërrimtare e qenies njerëzor. Shima, e konsideron natyra në vetvete të palogjikshme, e cila nuk mund të jetë vetëm e bukur: Është e egër dhe mund të ketë momente shumë të shëmtuara të saj. Dinamika që ka brenda për brenda e gjithë kjo dhe emocioni që shkakton, mua më intereson. Sepse unë e shoh shpirtin artistik si një shpirt që endet në mundësitë që të jep vetë natyra dhe që udhëtimin tim e bën shumë më personal.
Ndërsa kuratori Francesco Poli, shpreh në mënyrë të përmbledhur vështrimin e tij për këtë pjesë të krijimtarisë së Shimës. Punën e artistit shqiptar ai e njeh që prej fillimeve.
Me ekspozitën personale që vjen 10 vjet më pas, Orion Shima nuk e ka tradhtuar shqetësimin e tij turbullues dhe thirrës së brendshmi ndaj një natyre mbërritja tek e cila nuk do të varej nga ndonjë qëllim që do ti vinte vetes njeriu. Sa më shumë ne vjetrohemi, aq më shumë unë kuptoj që rrethohem nga gjëra që nuk ekzistojnë më. Ndoshta kjo ka qenë mënyra më e mirë për ta futur pikturën time në një lloj meditacioni spiritual, tha ai dje ndërsa qëndronte ndërmjet tablove të Kundërpeizazhit. Pas tij vareshin dy tablo të mëdha me të gjelbër gati në të feksur, në njërën është ndalur një dre, në tjetrën një portet djaloshi i mbledhur në vete, imazhi i të cilit reflekton në ujë. Pasqyrimi i përmbysur si në tablonë Përhumbje që vë në dyshim imazhin që të rrethon dhe rikrijimi i tij nëpërmjet gjithë këtyre dyshimeve, çka piktori e shpjegon edhe në këtë intervistë të shkurtër.
E gjelbra në dy tablotë varur pas jush, nga vjen si ndjesi, si moment i krijimit?
Mua më pëlqen të eksperimentoj me ngjyrën si në bardhezi, ashtu dhe në telajo ku ngjyra kthehet pak psikodelike për të theksuar pikërisht afeksionin dhe mungesën që ne kemi në raport me natyrën. Në këtë kontekst dhe ngjyra zgjidhet për ti dhënë telajos një formë sa më emocionale.
Tabloja Përhumbje që hap ekspozitën, është nga punët e fundit që keni realizuar, në 2012, cila është origjina e saj?
Është një eksperiment midis fotos dhe projektimit tim mental ku synohet që nëpërmjet shikimit të kthehet një imazh negativ i një fotoje të vjetër. Prandaj gjithë ngjyrat janë vendosur në të kundërt për të krijuar dyshimi për atë çka na rrethon.
Dramatike e quajti kuratori tablonë e drerit dimëror në bardhezi, duket se ai përdori fjalën e saktë.
Sepse është luajtur me një ide tensioni, me një ide inekzistence të personazhit. Është më shumë një hije dhe një psikozë vizive që vetë spektatori mund ta ndjejë por që në fund të fundit, piktura është edhe çështje emocioni direkt.
Jo të gjitha pikturat mund të kenë një logjikë precize pse nisin, sepse në radhë të parë piktura lind nga emocioni i brendshëm që nganjëherë nuk kontrollohet dhe nuk ka një arsye pse ajo e ndodh e tillë.
