E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drew: Deri të hënën serbët të largojnë barrikadat

PRISHTINË- Komandanti i KFOR-it, gjenerali Erhard Drews ka kërkuar nga serbët e rebeluar që të largojnë barrikadat e vendosura në veri deri ditën e hënë, në të kundërtën KFOR-i do të veprojë për hapjen e rrugëve të bllokuara.

KFOR-i përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se takimi me kryetarët ilegalë të komunave serbe në veri ka përfunduar pa arritjen e ndonjë rezultati konkret sa i përket heqjes së barrikadave, ndërkohë që gjenerali Drews ka paralajmëruar se nëse serbët e rebeluar nuk heqin barrikadat, atëherë KFOR-i të hënën do të hapë bllokadat në mënyrë paqësore.

Në këtë takim komandanti i KFOR-it dhe kryetarët ilegalë të komunave serbe në veri janë shkëmbyer pikëpamje mbi gjendjen e tanishme në veri të Kosovës dhe për të gjetur zgjidhje për largimin e bllokadave rrugore të cilat janë duke e vështirësuar lirinë e lëvizjes për të gjithë, përfshirë edhe KFOR-in. Mesohet se strukturat paralele serbe kanë tërhequr vërejtjen komandantit të KFOR-it që të mos marrin veprime të njëanshme në largimin e barrikadave, sepse në atë rast ata “nuk do të marrin përgjegjësinë e tensionimit të situatës”.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›