E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drita i premton liderit humbjen e parë

Të dielën, në Gjilan do të zhvillohet derbi i xhiros së dhjetë të Superligës ndërmjet Dritës dhe liderit Trepça ’89. Gjilanasit synojnë t’i njoftojnë mitrovicasit me humbjen e parë në këtë stinor. Por, edhe ‘Xehetarët’ thonë se do të tentojnë të fitojnë për ta ruajtur pozicionin e tyre në krye të tabelës.

Derbi i xhiros së dhjetë të Superligës së Kosovës në futboll do të zhvillohet të dielën në Gjilan, ku Drita do të ballafaqohet me Trepçën ’89.

Të dyja këto skuadra po kalojnë nëpër një formë të mirë, posaçërisht ekipi mitrovicas, i cili edhe prin në tabelën e klasifikimit, ngase është ekipi i vetëm që ende nuk ka pësuar humbje, andaj edhe konsiderohet si favorit kryesor për ta fituar titullin e kampionit.

Mirëpo, gjilanasit, të cilët aktualisht gjenden në vendin e tretë të tabelës me 16 pikë, pesë më pak sesa lideri, synon t’ia shkaktojë kësaj skuadre humbjen e parë në këtë edicion.

“Një derbi tjetër po na pret, kësaj radhe me Trepçën ’89, një ekip me renome, shumë kompakt e cilësor. Fakti që do të luajmë me liderin, është një motiv shtesë për ne. Lojtarët që do të dalin në fushën e blertë, besoj se do ta japin maksimumin nga vetja për të aplikuar lojë të mirë dhe për të vazhduar me rezultate të mira. Shpresoj t’i arkëtojmë tri pikë të reja”, tha trajneri i bardhekaltërve, Arbnor Morina.

Në anën tjetër, ‘Xehetarët’ synojnë që edhe këtë sfidë ta kalojnë pa pësuar humbje. Madje, ata do të tentojnë të shënojnë fitore për ta ruajtur pozicionin e tyre në krye të tabelës, të cilën mund ta humbasin nëse mposhten nga Drita, e në anën tjetër, nëse Prishtina fiton ndaj Ferronikelit.

“Dueli me Dritën është njëri prej më të vështirëve, pasi Drita po dëshmon se ka ekip cilësor, e njëherësh do të luajë si vendas. Por, ekipi im e ka krijuar një mentalitet që me lojëra të mira të kërkoj rezultate pozitive, pavarësisht se ku luajmë. Ky mentalitet do të na përcjellë edhe në Gjilan. Për ne synim është një barazim, por në kuadër të kësaj, do të tentojmë edhe të fitojmë”, u shpreh trajneri i 89-shit, Gani Sejdiu.

Po të dielën, në Gjakovë Vëllaznimi e pret Hajvalinë, derisa kjo xhiro përmbyllet të hënën në kryeqytet, me takimin mes Prishtinës e Ferronikelit.

Superliga – xhiroja e 10-të

E diel

Vëllaznimi – Hajvalia 15:00

Drita – Trepça ’89 15:00

E hënë

Prishtina – Ferronikeli 15:00

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›