E Shtunë, 31 Tetor 2026

Messi, lider i Argjentinës

I kritikuar shpeshherë se luan më mirë për Barcelonën dhe zhgënjen për Argjentinën, Lionel Messi ka filluar të kundërpërgjigjet. Sulmuesi bëri një paraqitje fantastike duke shënuar dy herë në fitoren 3-0 ndaj Uruguait, në kualifikime për Kampionatin botëror 2014. Selektori Alejandro Sabella ka thënë se Messi është duke u bërë lider i ekipit, njësoj siç është te Barcelona.

Me Barcelonën ka fituar çdo trofe që mund të fitohet në nivelin e klubeve. Por, me Argjentinën është ende në kërkim të ndonjë suksesi të konsiderueshëm. Ëndrra e tij mbetet titulli i kampionit të botës.

Shpeshherë i akuzuar se luan më mirë për Barcelonën dhe jo për Argjentinën, Lionel Messi ka vendosur të kundërpërgjigjet, në mënyrën e tij të zakonshme, me gola dhe paraqitje të jashtëzakonshme. Sulmuesi shkëlqeu duke realizuar dy herë në fitoren ndaj Uruguait, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin botëror 2014, në atë që ishte paraqitje pothuajse e zakonshme nga një futbollist i kalibrit të tij.

Por, është për t’u përmendur fakti se lojërat e Messit me Argjentinën po përmirësohen gjithnjë e më tepër. “Ka lloje të ndryshme të lidershipit, Messi i ka të gjitha”, deklaroi selektori i Argjentinës, Alejandro Sabella.

“Kryesisht për kapacitetin e tij si futbollist, por edhe për shkak se gjithnjë e më tepër po dëgjojmë zërin e tij. Ngadalë ai është duke u bërë lider i ekipit tonë, një kapiten”, u shpreh strategu i Gauçosëve.

Me fitoren ndaj Uruguait, Argjentina ka tubuar 17 pikë nga tetë ndeshje, dhe kryeson në regjionin e Amerikës së Jugut, me një pikë më tepër se Kolumbia dhe Ekuadori. Dueli me Uruguain ishte i qetë deri në minutën e 28-të, kur Messi iu shmang Walter Garganos, Marin Caceresit dhe Edinson Cavanit, por goditja e tij qëlloi transversalen. Pak më vonë, portieri i Uruguait, Fernando Muslera bëri një pritje të mrekullueshme duke ia mohuar Messit golin nga goditja e lirë.

Por, ylli i gjigantit katalan ishte thjesht i pandalshëm. Në minutën e 65-të, ai nisi një sulm nga krahu i majtë, Di Maria iu shmang një mbrojtësi dhe e ktheu topin në qendër te Messi, i cili shënoi golin e parë me një goditje precize. Dhjetë minuta më vonë, dyshja e njëjtë kombinuan mes veti, kurse në fund realizoi Sergio Aguero. Dhe, ‘ajka’ e mbrëmjes erdhi 10 minuta para fundit, kur Messi shënoi për 3-0 nga goditja e lirë.

“Jam i lumtur për të gjithë këta njerëz në Mendoza. Ne mposhtëm një rival të fortë dhe e bëmë në mënyrë të sigurt. Nuk duhet harruar se Uruguai është fituesi i fundit i Copa Americas, andaj është një fitore e madhe. Skuadra është duke u forcuar me kalimin e kohës dhe po luajmë me më tepër vetëbesim. Tani, nëse mposhtim Kilin, të martën, do të jemi shumë afër Kampionatit të ardhshëm botëror”, deklaroi Messi.

Edhe Aguero lavdëroi Messin: “Nuk ekzistojnë më fjalë për ta përshkruar. Ai është unik”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›