E Diel, 1 Nëntor 2026

Drita jeshile e shpronësimeve part-timeNga Ervin QafmollaPas një heshtjeje disamujore mbi diskutimin fillestar në qeveri ndaj zgjidhjes së problemeve të bujqësisë – në mënyrë specifike lënies djerrë të tokës – ku një ndër skenarët e shumëdebatuar ish

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Drita jeshile e shpronësimeve part-timeNga Ervin Qafmolla

Pas një heshtjeje disamujore mbi diskutimin fillestar në qeveri ndaj zgjidhjes së problemeve të bujqësisë – në mënyrë specifike lënies djerrë të tokës – ku një ndër skenarët e shumëdebatuar ishte marrja e tokës nga pronarët që nuk e punonin atë, ekzekutivi merr një vendim gjysmë surprizë duke legalizuar kauzën. Ndoshta sepse afati i fundit për përgatitjen e këtij vendimi ishte përcaktuar muaji gusht, apo sepse kjo masë hasi edhe në një rezistencë publike të ekspertëve, pakkush priste materializimin e kësaj nisme në këtë çast; në pikun e krizave ekonomike e politike. “Këtë tokë e kemi ndarë me ligjin 7501, një ligj që është bazuar në parimin ‘toka – atij që e punon’ dhe ‘atij që jeton aty”, njoftoi Kryeministri, muaj më parë duke çelur kështu nismën që legalizon kalimin me pahir të pronësisë së tokës bujqësore nga njëri pronar te tjetri. Në terma më delikatë mund të thuhet se tokat e pakultivuara mund t’u kalojnë individëve që kanë mundësi t’i kultivojnë ato.

Bëhet fjalë për një projektligj, për “Përdorimin dhe shfrytëzimin e tokave bujqësore të pakultivuara”, i cili sipas hartuesve të tij, ka për qëllim të përcaktojë rregullat dhe procedurat për përdorimin dhe shfrytëzimin e tokave bujqësore të pakultivuara, për të garantuar funksionin social të pronës, në kuadrin e zhvillimit të qëndrueshëm bujqësor dhe rural.

Sipas Ministrisë së Bujqësisë, janë me mijëra hektarë toka bujqësore të lëna djerrë për shkaqe të ndryshme ekonomike apo emigracioni. Ndërkaq, Shqipëria është në pozita (të paktën statistikisht) të pafavorshme lidhur me zhvillimin e bujqësisë. Vetëm diçka mbi 20% e sipërfaqes totale të vendit është tokë bujqësore, çka kombinuar me dendësinë e popullsisë, rezulton të ketë një shpërndarje prej 1.1 hektarë për familje, kundrejt 400 mijë familjeve fermere. Në këtë pikë një ndërhyrje për lehtësimin e situatës dhe zhbllokimin e tregut të tokës bujqësore rezulton e domosdoshme, por mënyrat mbeten për t’u diskutuar.

Ndarja e tokës do të bëhet nga një komision, i cili nis veprimtarinë dy muaj pas hyrjes në fuqi të vendimit. Pronari që nuk ka mundësi ta punojë tokën do të marrë një pjesë të të ardhurave nga qiraja, përmes komunës, si dhe produkte bujqësore. Nenit 17 i vendimit në fjalë sanksionon që të ardhurat që do krijohen nga qiradhënia e tokave të pakultivuara, do të ndahen mes pronarit të ligjshëm dhe komunës apo bashkisë. Pronari do të marrë 80 për qind të vlerës së qirasë, nga e cila komuna dhe/ose bashkia mban vlerën e taksës vjetore mbi tokën. Përveç taksës që do i mbajë pronarit të ligjshëm, pushteti vendor do të marrë edhe 20 për qind të totalit të qerasë.

Masat dytësore

Një detaj i rëndësishëm që nuk përmendej në deklaratën e Berishës, është garancia se pavarësisht “konfiskimit” nga komuna, nuk do të tjetërsohej përdorimi i tokës. Pra, që tokat djerrë të mbledhura nga komunat, nuk do të përdoren për të ndërtuar fabrika, resorte turistike apo termocentrale. Ndoshta për të rregulluar këtë boshllëk, qeveria ka marrë përsipër të rregullojë edhe më tej me ligj, kufizimin e ndërtimeve mbi tokë bujqësore. Aktualisht, 80 për qind e tokave është në dorë të privatit dhe pjesa e mbetur administrohet nga shteti, kurse nga statistikat mesatarja e tokave për banorë në krahasim me vendet e tjera është nën nivelin e lejuar, kjo për shkak të shfrytëzimit pa kriter, duke e dëmtuar atë. Për këtë qëllim qeveria do të krijojë një drejtori të re për Administrimin dhe Mbrojtjen e Tokave (DAMT). Projektligji ka mbërritur në Kuvend dhe pritet të diskutohet nga grupet e interesit. Masa e pjesëmarrjes së qeverisjes qendrore në emërimin dhe vlerësimin e drejtuesve të DAMT-ve bëhet duke respektuar gjithnjë përbërjen shumicë të këshillit të qarkut, në numrin e anëtarëve të komiteteve “ad-hoc”. Sipas një raporti të nxjerrë nga grupi i përgatitësve të bazës ligjore për institucionin e ri, renditen një sërë arsyesh që e bëjnë të domosdoshëm krijimin e këtij organi të ri, duke i dhënë gati-gati një profil shpëtimtari: “Për shkak të lëvizjeve intensive demografike, të mungesës për një periudhë relativisht të gjatë të një ligji të mirëfilltë të mbrojtjes të tokës bujqësore, të mosangazhimit dhe mosveprimit të strukturave të qeverisë vendore të ngarkuara me ligj për mbrojtjen e tokës, të mos-harmozimit të drejtave dhe përfitimeve, që rrjedhin nga pronësia private për tokën me detyrimet dhe përgjegjësitë për mbrojtjen e saj nga poseduesit e ligjshëm, të tërheqjes së strukturave kompetente vendimmarrëse (KKRT-ve të komunave dhe/ose bashkive, KKRT-ve të qarqeve etj.) para presionit të interesave të njëanshme të bizneseve të ndërtimit etj., fondi i tokës bujqësore i është nënshtruar dëmtimit fizik në sipërfaqe të gjera”, vlerësojnë ekspertët.

Zgjidhja e duhur?

Lënia e tokës bujqësore pa punuar është një realitet në shumë zona të vendit, por ndërkaq duhet marrë parasysh edhe se shumë nga parcelat e lëna djerrë ndodhen në atë gjendje se nga pasiguria e pronarëve për të zhvilluar tokën e tyre, duke iu kthyer në fakt zanateve të tjera më të sigurta apo thjesht emigracionit. Djerrina mund të mos jetë vetë problemi i madh, por një simptomë shqetësuese e tij. Kostot e larta të inputeve bujqësore, mungesa e subvencioneve, pamundësia për të marrë hua, si dhe mungesa e garancive ndaj amortizimit të dëmit në rast të shkatërrimit të të mbjellave, janë faktorë të rëndësishëm që ndikojnë në braktisjen e pronës. Sidomos nëse këtyre faktorëve u shtohet edhe realiteti i konkurrencës së vendeve që nuk përballen me këto pengesa dhe që për më tepër në kuadër të marrëveshjeve të tregtisë së Lirë kanë akses gati të pakufizuar në tregjet shqiptare, situata paraqitet e zymtë.

Lidhur me marrjen e tokave pronarëve që nuk i punojnë ato dhe kalimin e tyre në fondin e komunave, propozimi ka gjasa të jetë antikushtetues dhe për pasojë edhe përgatitja e një projektligji ka gjasa të vonojë, duke rrezikuar madje edhe të kalojë në Parlament. Por edhe nëse këto faza realizohen drafti i ri do të ketë shumë pak gjasa t’i mbijetojë Gjykatës Kushtetuese. Kushtetuta e Shqipërisë – edhe në variantin e saj të ndryshuar – flet qartë për garantimin e pronës private dhe lirinë e aktivitetit ekomomik. Të dyja këto të lidhura me njëra-tjetrën ën rastin konkret, duke qenë se pronarët po kërkohet të kufizohen nga prona e tyre për shkak të llojit të administrimit që po kryejnë. Megjithatë, së fundmi ka pasur insistime të mëtejshme nga ana e Kryeministrit që projektligji mbi shpronësimin e atyre fermerëve që nuk e përdorin tokën sipas preferencave të qeverisë, të vijë sa më shpejt në tryezën e Këshillit të Ministrave.

Për më tepër, ky hap nuk është konsultuar me detyrimet e vendit në kuadër të integrimit europian. Në çastin kur Shqipëria bëhet vend kandidat për t’u pranuar në Bashkimin Europian, gjithashtu ajo kualifikohet për të përfituar dhjetëra apo qindra milionë euro në vit, të cilat shkojnë kryesisht për mbështetjen e fermave dhe aktorëve të tjerë në zinxhirin agroushqimor. Këto para do të shkojnë në formë subvencionesh për zhvillimin e sektorit bujqësor shqiptar. Por që bujqësia shqiptare të përfitojë subvencionet e Bashkimit Europian, duhet të ketë më së pari një sistem të saktë të informacionit në lidhje me numrin dhe madhësinë e fermave, si dhe duhet të ekzistojë një klasifikim i qartë sipas morfologjisë së prodhimit dhe madhësisë ekonomike. Gjithashtu, duhet të ketë një bazë të dhënash mbi strukturën e mbjelljeve që të arrihet në një sistem monitorimi mbi shpërndarjen dhe përdorimin e subvencioneve. Një nga parakushtet themelore është edhe disponimi i informacionit të saktë mbi përkatësinë dhe tipin e pronësisë për të shmangur mbivendosjen e subvencioneve. Por, informacioni mbi pronësinë e tokës bAujqësore përbën pa dyshim mangësinë themelore në këtë drejtim. Për më tepër, nisma e fundit e ekzekutivit do të shtonte edhe një problem tjetër në morinë e problemeve që lidhen me pronësinë e tokës bujqësore. Por, përveç aspektit praktik që lidhet me përfitimin e subvencioneve në bujqësi ekziston edhe një aspekt tjetër: ai i pajtueshmërisë së vendimmarrjes në Shqipëri me legjislacionin dhe procedurat evropiane. Në këtë kontekst, vendimi më i fundit i qeverisë shqiptare, nëse do të kërkohet të përshtatet me ndonjë lloj unioni vendesh, mund t’i bëjë referencë ish- Bashkimit Sovietik, por jo Bashkimit Europian.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›